Edlir Reka mashtroi para publikut dy mediat më të mëdha në vend, “Top Channel” dhe “TV Klan”, duke thënë se kishte fituar një konkurs në Moskë dhe se veprat e tij dhe se ato ruheshin në muzetë më të mëdha ndërkombëtare. Por ndërkohë kjo kishte qenë gënjeshtër dhe piktura e tij ishte një kopje.
Pas intervistës së tij të fundit te emisioni i Rudina Magjistarit, Reka u demaskua. Por jo nga moderatorja, por nga ndjekësit e saj të cilët komentonin se piktura ishte në të vërtetë e një artisti kanadez.
Magjistari i kërkoi ndjesë publikut duke thënë se nëse do ta dinte mashtrimin e tij ai nuk do ftohej në emisionin e saj “Rudina”. Ajo gjithashtu e risolli Rekën sërish që ai të kërkonte falje publike.
Por në portale dhe në rrjete sociale, Magjistari është sulmuar duke u quajtur një “velinë”, që nuk ka filtruar informacionin dhe se ka lejuar që publiku të keqinformohej.
Moderatorja e revoltuar me lajmet, mesazhet dhe komentet negative, është kundërpërgjigjur duke thënë se ishte ajo që e demaskoi Rekën publikisht.
“Ç’skandal kishte plasur? E gjitha u bë publike vetëm pasi unë gërmova dhe u binda për historinë e manipulimit. Ishte vetëm një koment sinjalizues, ai që më bëri të kërkoj.
E postoj më pas në Instastory-in tim. Atëherë filluan të gjitha komentet në Instagram dhe publiku dëgjoi për herë të parë për këtë histori mashtrimi, e cila më vendoste përpara përgjegjësisë për ta sqaruar sërish me të njëjtin publik që e dëgjoi ndryshe disa ditë më parë.
Kur ky djalë u ftua nga ne, e kishte thurur shumë bukur gjithçka. Kishte dalë disa herë përpara në televizione të tjera dhe kishte dhënë disa intervista nëpër portale të njohura shqiptare për fitoret e tij.
Është e lehtë të thuash tani “si s’u verifikua”, por ajo që ne bëmë është që e zbuluam dhe demaskuam menjëherë një demaskim publik.
Dhe dhamë mesazhe shumë të rëndësishme për shoqërinë dhe mbi të gjitha për rininë shqiptare. Në vend që të merreni me modelin shoqëror, efektin e kësaj historie, kapeni me njerëzit që përpiqen çdo ditë me shumë mund të bëjnë mirë dhe me përkushtim punën e tyre.”, shkruan Magjistari.
Tanimë moderatorja iu bashkua Rekës në revoltën kundër portaleve, pasi kujtojmë se edhe ai kërkoi që të mos gjykohej për mashtrimin që kishte bërë, pasi komentet negative e “vrisnin”.