Rikthehen sërish reshjet e borës dhe shiut. Këtë mëngjes gjirokastra është zgjuar e zbardhur nga bora. Reshje bore ka pasur edhe në disa zona të thella malore të qarkut të Dibrës, ku trashësia ka arritur deri në 30 cm.
Si pasojë kanë nisur hde problemet me qarkullimin rrugor. Disa fshatra të njësisë administrative Lurë, si Kalaja e Dodës, Selishta, Sllova janë të bllokuara, në Dibër. Po ashtu të bllokuara janë dhe fshatrat e njësisë administrative Zall-Dardhë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, përmes një njoftimi këshillon drejtuesit e automjeteve të kenë kujdes në disa akse ndërsa sqaron për situatën në akset kryesore në vend.
SITUATA
Në Rajonin Jugor Gjirokastër:
Në Qarkun e Korçës, rreth orës 4 të mëngjesit kanë filluar reshje bore me intensitet. Trashësia e borës shkon 5-15 cm. Po punohet pa ndërprerje nga kontraktorët e mirëmbajtjes për pastrimin e akseve.
Në Qarkun Gjirokastër qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset. Vetëm në pjesën fundore të rrugës Erind-Çajup, rreth 5 km, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.
Në Qarkun e Korçës qarkullohet me zinxhir në:
K/Boboshticë-Dardhë
Voskop-Voskopojë
Qafë Qarri-Ersekë, zona e Qafës së Qarrit
Në Rajonin Qendror Tiranë:
Ka reshje shiu në të gjithë Rajonin. Në lartësi ka pasur reshje bore, si në Sarisalltik, Qafë Priskë, Gjinar, Steblevë.
Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve vetëm në pjesën fundore të rrugës Krujë-Sarisalltik.
Në Rajonin Verior Shkodër:
Gjatë natës ka pasur reshje shiu në të gjithë rajonin dhe në lartësi ka pasur reshje bore. Kontraktorët kanë vazhduar punën për pastrimin e akseve dhe po mbajnë në monitorim të vazhdueshëm segmentet ku ka prezencë ngricash.
Qarkullohet me zinxhir, ose pjesërisht me zinxhir në rrugët:
Qafë Dragalicë-Klenjë-Steblevë, 15-17 km.
Kryqëzim Domaj-Draj Reç
Trebisht-Doganë
Rekomandohen përdoruesit e rrugës, të bëjnë kujdes në lëvizje, sidomos gjatë orëve te para te mëngjesit dhe gjatë natës për shkak të lagështisë në rrugë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.