Policia gjermane ka shpërndarë me dhunë një grup aktivistësh, të cilët protestonin para Ministrisë së Ekonomisë në Berlin.
Sikurse shkruan “RT”, demonstruesit po protestonin kundër një marrëveshjeje për ndërprerjen e përdorimit të energjisë së qymyrit.
Pamjet e publikuara në rrjet, tregojnë oficerët të marrin njerëzit zvarrë dhe t’i largojnë me dhunë drejt furgonit policor.
Protestuesit që kishin ngritur një flamur gjigand para ndërtesës së ministrisë u përleshën me policinë që kërkonte t’i shpërndante.
Tubimi, i cili u zhvillua të premten në Berlin, u organizua nga grupi aktivist ‘Ende Gelaende’, i cili kundërshton një plan të paraqitur kohët e fundit për fazën e largimit të qymyrit.
Plani i zhvilluar nga i ashtuquajturi komision i qymyrit, një organ i përbërë nga industrialistë, politikanë dhe anëtarë të OJQ-ve, parashikon që Gjermania të përfundojë përdorimin e energjisë së qymyrit deri në vitin 2038.
Aktivistët besojnë se afati është tepër i gjatë dhe po bëjnë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të përdorimit të energjisë së qymyrgurit.