Vendosni fjalën kyçe....

Kriza ekonomike në Itali mund të reflektojë edhe në Shqipëri


Recesioni ekonomik i Italisë mund të ketë pasoja negative edhe në Shqipëri, për faktin se fqinji ynë përtej Adriatikut është një ndër partnerët kryesorë në tregti, sepse aty shkon shumica e eksporteve tona.

Për Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i cili shprehet për Tv Klan, duket se janë 3 shtylla kryesore të cilat rrezikojnë të goditen për shkak të krizës italiane dhe pikërisht: shkëmbimet tregtare, investimet e huaja direkte dhe dërgesat e emigrantëve.

Për këtë arsye, eksperti Malaj mendon se vëmendja kryesore e qeverisë duhet të investohet sidomos te familjet e emigrantëve dhe matja e një efekti që do të ketë në Shqipëri kthimi i tyre. Një element i mirë që mund të mbrojë ekonominë tonë është pjesa që eksportet shqiptare drejt Italisë nuk kanë si destinacion konsumatorin italian, por atë evropian.

Situata në Itali mund të jetë afatgjatë, sqaron Malaj për TV Klan, prandaj institucionet në Shqipëri duhet të përgatiten për t’i paraprirë pasojave.

Ekonomia italiane ka shënuar rënie për dy tremujorë me radhë, ku shkaku kryesor është rritja e interesave të obligacioneve qeveritare të cilat kanë ulur ndjeshëm kreditimin në ekonomi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *