Vendosni fjalën kyçe....

ISHP jep alarmin: 51 të prekur nga fruthi, vaksinoni fëmijët!


Instituti i Shëndetit Publik në vend jep alarmin për sëmundjen e fruthit. Që prej 1 janarit, deri më 5 shkurt, rezulton se janë prekur nga kjo sëmundje plot 51 persona.

Grupmosha më e prekur është nën 2 vjeç dhe rastet më të mëdha janë konfirmuar në Tiranë.

ISHP u bën thirrje qytetarëve që të vaksinojnë fëmijët por edhe vetë në rast se nuk janë të vaksinuar kundër fruthit.

Lidhur me situatën e Fruthit në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se për periudhën 01 Janar – 05 Shkurt 2019 numri i të prekurve me fruth është 51 raste (pozitive).
Grupmosha më e prekur është nën 2 vjeç, rreth 45.1% të rasteve të konfirmuara dhe pjesa më e madhe e rasteve të konfirmuara i përkasin qytetit të Tiranës.

Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se vazhdon vaksinimi sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit për personat në moshën 1 dhe 5 vjeç. Po ashtu edhe vaksinime të tjera që i përkasin fëmijëve të prapambetur në vaksinim, të rriturve të pavaksinuar ose me një dozë, komunitetit rom, si edhe të gjithë personave që kanë qenë në kontakt me persona të dyshuar apo të sëmurë me fruth. Instituti i Shëndetit Publik ju bën thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit dhe udhëzimeve të ISHP-së për grupet që janë më të rrezikuara. Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit që nuk janë vaksinuar ndaj fruthit apo nuk kanë marrë dy doza të vaksinës, duhet të vaksinohen.

Vaksinimi ndaj fruthit është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin dhe komplikacionet që vijnë prej tij. Për shkak se kjo periudhë e vitit sjell rritje të numrit të rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, bëhet akoma më i rëndësishëm vaksinimi, për të parandaluar përhapjen e fruthit. “, thuhet në njoftimin e ISHP-së.

Kujtojmë se më 22 janar, një foshnjë 4-muajshe humbi jetën si pasojë e sëmundjes së fruthit. Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” njoftoi se fëmija me inicialet A. A me moshë 4 muaj, që ka humbur jetën pranë shërbimit të Reanimacionit të Pediatrisë është trajtuar në mënyrë intensive për 10 ditë nga ekipi reanimator, me mjekime bashkëkohore për një nga komplikacionet më të rënda të fruthit, atë të pneumonisë masive bilaterale.

Sipas QSUT-së, fëmija ishte vetëm 4 muajshe, moshë në të cilën sipas Kalendarit të Vaksinimit nuk aplikohet vaksina e fruthit. 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *