Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet sërish seanca për Tahirin, ish-ministri: Po kalohet çdo limit!


Ka përfunduar seanca me dyer të mbyllura në Krimet e Rënda për ish-ministrin Saimir Tahiri. Në një deklaratë për mediat, menjëherë pas përfundimit të seancës, Tahiri reagoi i revoltuar për shtyrjen e seancës për të disatën herë.

Tahiri po ashtu kërkon që seancat të zhvillohen me dyer të hapura, pasi sipas tij nuk ka asnjë sekret hetimor sepse prokurorët tashmë i kanë qarkulluar të gjitha informacionet për të te gazetarët përmes mesazheve.

” Nuk më ka humbur durimi, kam një vit e disa muaj që pres pa komentuar veprimet e Prokurorisë. Pres që ti shkoj Drejtësisë deri në fund, pa bërë siç kanë bërë të tjerët që janë akuzuar për vjedhje dhe për vrasje.

Kjo mjegullnajë dyshimesh nuk mund të vazhdojë më.  Pavarësisht se hetimet janë zgjatur 5 herë, nuk kam folur por, tani po kërkoj që kjo mos ndodhë më. Çështja duhet të marrë zgjidhje në një mënyrë dhe një tjetër. Drejtësia e vonuar nuk është më Drejtësi.

Nuk mbahem peng nga askush. Kam respektuar drejtësinë. Pavarësisht se besoj se është sakrificë nga ana ime që ta respektoj Drejtësinë.

Peng s’ka si më mban njeri. Do pres vendimin dhe më pas do flas unë.

Ma besoni kjo çështja ka kapërcyer çdo limit të pranueshëm. 

Sot seanca u shty merre me mend.

S’kishte asnjë sekret këtë ma besoni dhe ju keni aq shumë mesazhe në telefonat tuaja nga prokuroreët sa që s’ka asnjë sekret. Unë sigurisht që i kam dhe mund t’i bëj publike.

 

Gjykata kërkoi dokumentet të cilat prokurorët nuk i kishin dhe seanca u shty për të hënën. U shty 5 herë deri tani por unë s’e kam kundërshtuar.

Mua më akuzojnë për trafik ndërkombëtar droge dhe grupi i stukturuar kriminal dhe ndërkohë në Itali, prokuroria dhe gjykata ka thënë ‘ky njeri nuk ka lidhje’, ndërsa këtu vazhdon e zgjatet se kanë frikë e nuk dinë si ta mbyllin.

Më vjen mirë që Prokuroria reagoi për nxjerrjen e sekretit por shpresoj që edhe në rastin tim të bëjë të njëjtën gjë dhe të hetojë.

Unë nuk dua të merrem sot me këtë gjë, nuk e kam humbur durimin do pres deri në fund çdo vendim të Prokurorisë dhe Gjykatës.

Kur kjo më ka ndodhur mua, imagjino me ata që nuk kanë mundësi të thotë një fjalë para kamerave tuaja.

Ka kohë për të gjitha, ma besoni këtë, në këtë vend që jemi ne nuk kalon njeri pa marrë faturën që i takon.”, deklaroi Tahiri para kamerave.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *