Vendosni fjalën kyçe....

Meta nga SHBA-të “selfie” me Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Pompeo


“Selfie” me Sekretarin Amerikan të Shtetit Mikë Pompeo. Kjo është fotoja që presidenti i vendit Ilir Meta ka shpërndarë në profilin e tij në “Facebook” duke lajmëruar jo vetëm këtë takim por edhe duke shkruar përshtypjet e tij.

“Shumë i lumtur të isha sot në krah të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo gjatë Mëngjesit të Lutjeve në Uashington.

Folëm për partneritetin e shkëlqyer të dy vendeve tona dhe rëndësinë e forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!”, shkruan Meta.

Më herët Meta u prit edhe nga kongresmeni amerikan Robert Aderholt. Meta, i shoqëruar edhe nga delegacioni parlamentar i Shqipërisë, u takua në SHBA me kongresmenin Robert Aderholt, anëtar i Komitetit Amerikan të Helsinkit dhe bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipëri. 

“Për shqiptarët, SHBA janë dhe do të mbeten partneri kryesor strategjik. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një rëndësi jetike për ne”, theksoi Meta.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e SHBA në përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, për anëtarësimin në NATO, si dhe për përmbushjen e aspiratës euro-atlantike.

“Është e domosdoshme nevoja e një angazhimi edhe më të vendosur të SHBA në rajonin tonë, si një garanci për të gjithë investimin amerikan, por edhe si ndihmesë e pazëvendësueshme për finalizimin me sukses të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Meta.

Kongresmeni Robert Aderholt siguroi Metën për angazhim të pandalur për forcimin e arritjeve në Ballkanin Perëndimor falë përkushtimit konstant të SHBA për paqen, lirinë dhe stabilitetin.

Presidenti Meta, pati gjithashtu një takim miqësor me Kryetaren e Kongresit Amerikan, znj. Nancy Pelosi, të cilën e uroi për zgjedhjen e saj në këtë detyrë të rëndësishme duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që Kongresi Amerikan ka në mbështetjen e Shqipërisë dhe promovimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *