Dy deputetet e PD-së Jorida Tabaku dhe Dhurata Cupi kanë dënuar sjelljen e kryeministrit Edi Rama ndaj koleges së tyre, Albana Vokshi, pasi kjo e fundit kërkoi të hiqej nga Facebook videoja e publikuar nga ERTV me prindërit e vajzës së abuzuar në Kavajë si dhe të shkarkohej ministrja Elisa Spiropali.
Përmes një postimi në Facebook, deputetja Jorida Tabaku thotë se reagimi i Ramës ndaj Vokshit është i turpshëm dhe joetik dhe ftoi edhe deputetet socialiste ta dënojnë këtë akt që sipas saj gjuhën e urrejtjes e kthen në instrument politik.
Nga ana tjetër deputetja Çupi shkruan se “Shqiptarët tashmë e dinë se Edi Rama nuk i honeps dot gratë e madje i dhunon ato edhe publikisht.
Shqiptarët e njohin Edi Ramën përmes talljeve që iu adreson burrave në pseudotakimet me qytetarët të cilët i shpotit në marrëdhëniet familjare dhe specifikisht gratë.
Ky kryeministër nuk ka të ndalur në sjelljen e tij harbute, dhe këtë u përpoq të bëjë edhe me kolegen tonë, deputeten Albana Vokshi”.
Postimi i Jorida Tabakut:
Fasada gënjen!
Progresist nuk je duke pikturuar një kabinet me më shumë zonja në historinë e Shqipërisë. As duke e shitur veten si një kryeministër artist nëpër botë.
Pasi e vërteta është tjetër. Majfton të shohim reagimin e padenjë që kryeministri ka kryer karshi koleges Vokshi, një reagim i turpshëm dhe tërësisht joetik. Jo vetëm se i drejtohet një deputeteje e cila ka qenë serioze në sjelljen e saj opozitare përballë mazhorancës së drejtuar nga kryeministri. Por, mbi të gjitha sepse i drejtohet një zonje e cila ka ngritur përherë zërin për dhunën ndaj femrave.
Çfarë të presim më shumë nga një kryeministër i tillë? Çfarë duhet të postojë më shumë një kryeministër që vendos të shpërfytyrojë figurën e një deputeteje pasi argumenti i mungon?
Ftoj deputetet socialiste ta dënojnë këtë akt që gjuhën e urrejtjes e kthen në instrument politik. A doni t’ia falim të ardhmen një njeriu të tillë?
Postimi i Dhurata Çupit:
Një kryeministër për burrat dhe oligarkët. Shqiptarët tashmë e dinë se Edi Rama nuk i honeps dot gratë e madje i dhunon ato edhe publikisht.
Shqiptarët e njohin Edi Ramën përmes talljeve që iu adreson burrave në pseudotakimet me qytetarët të cilët i shpotit në marrëdhëniet familjare dhe specifikisht gratë.
Ky kryeministër nuk ka të ndalur në sjelljen e tij harbute, dhe këtë u përpoq të bëjë edhe me kolegen tonë, deputeten Albana Vokshi.
Kjo është një sjellje krejtësisht e padenjë për një kryeministër por për Ramën me sa duket është normalitet.
Nëse kryeministri është mësuar t’ia lejojnë e t’ia pranojnë gratë që e rrethojnë , kjo nuk mund të tolerohet nga ato zonja gra që bëjnë detyrën e tyre por që nuk i shkojnë pas avazit.
Zoti Rama e di që deputetja Albana Vokshi të ka prishur qetësinë me denoncimet e keqqeverisjes tënde por reagimi yt në atë mënyrë është tregues i zënies ngushtë me fakte dhe detyrohesh të bësh sjellje të tillë.