Kreu i Partisë Demokratike, Basha, ka zhvilluar sot një takim me biznesmenë e tregtarë të Vlorës.
Në fjalën e tij, Basha, tha se Shqipëria është sot në vend të fundit krahasuar me vendet e rajonit për sa i përket pëlqyeshmërisë për të bërë biznes. Shkak sipas tij për këtë janë bërë politikat ekonomike të qeverisë, korrupsioni dhe politika e gabuar fiskale.
Ai shpalosi vizionin e PD-së për të ringjallur ekonominë dhe kjo platormë përbëhet nga 3 shtylla që janë: çlirimi i tregut nga monopolet, nga oligarkia dhe nga korrupsioni.
“Vizioni i PD për të ringjallur ekonominë përbëhet nga 3 shtylla kryesore: çlirimi i tregut nga monopolet, oligarkia dhe korrupsioni; një politikë fiskale, që nxit prodhimin dhe punësimin; orientimi nga prioritet e ekonomisë. Nuk mundet askush, sado kohë të ketë qenë në paradhomat e PD dhe tani në paradhomat e PS, të marrin tendera nga 200-300 milionë euro pa studim fizibiliteti. Të gjitha kontratat e 2.9 miliardë euro PPP dhe koncesione të 5 individëve dhe korporatave të tyre, do të anulohen dhe çdo cent publik, do të rikthehet tek arka e shtetit. Platforma antimafia do të godasë këtë element të përparuar të korrupsionit, por ne besojmë se platforma fiskale e taksës së sheshtë 9%, thjeshtimi i sistemit fiskal, do të ndihmojnë në reduktimin e korrupsionit. Prioritet e PD për zhvillimin e e ekonominë janë turizmi, për të mos patur në çdo cep të bregut nga një klient të qeverisë; energjetika, teknologjia e informacionit. bujqësia dhe agroturizmi, logjistika.” – theksoi Basha në fjalën e tij.