Ministrja e Drejtësisë, Gjonaj, ka kërkuar shkarkimin e 3 gjyqtarëve që votuan për uljen e dënimit për Dritan Dajtin, nga burgim i përjetshëm në 25 vjet heqje lirie.
Në deklaratën drejtuar Këshillit të lartë Gjyqësor, Gjonaj, shprehu besimin e saj se KLGJ-ja do veprojë shpejt ndaj 3 gjyqtarëve, që sipas saj me vendimin e marrë kanë kryer një akt të paprecedentë.
“Jam sërish këtu para jush për të folur ndaj vendimit të paprecedentë të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda ndaj shtetasit Dritan Dajti. Ministria e Drejtësisë ka kryer të gjithë verifikimet paraprake. Nga verifikimet rezulton se tre anëtarë nga pesë gjithsej kanë vendosur uljen e dënimit me 25 vite.
Për këtë arsye i jam drejtuar KLGJ-së për marrjen e vendimit të shkarkimit të tre gjyqtarëve. Jam besimplotë se KLGJ-ja do të veprojë shpejt për procedimin disiplinor. Reagimi i qeverisë nuk ndalet as këtu, por edhe as me kaq.” – tha Gjonaj.