Max Verstappen ka kryer testin e parë me makinën e re Red Bull, në pistën britanike Silverstone. Skuderia austriake publikoi të mërkurën fotot e para të makinës së re, telajoja e së cilës dominohej nga ngjyra e kuqe, por duket se ky imazh nuk do të qëndrojë shumë, pasi Red Bull pritet të kthehet te ngjyrat e saj të zakonshme.
Piloti holandez, që pritet të jetë një prej kandidatëve për të zbritur nga froni kampionin Lewis Hamilton, duket se ka mbetur i kënaqur me makinën e tij pas kryerjes së testit.
“Dita e parë u mbyll, përshkova kilometrat e parë me makinën e re”, tha Verstappen në një video të publikuar në profilin zyrtar të Red Bullit në Twitter. “Jam shumë i kënaqur me sjelljen e makinës dhe të motorit. Jam shumë pozitiv, pasi është bërë një punë kaq e mirë, saqë mezi po pres të nis përgatitjet parasezonale në Barcelonë dhe garën në Melbourne”, shtoi më tej ai.
Red Bull do të furnizohet këtë vit me motorët Honda, e 21-vjeçari shpreson që kompania japoneze ta ndihmojë në garën për titullin botëror për pilotë. Max Verstappen nuk do të ketë shok skuadre Daniel Ricciardon këtë sezon, pasi australiani është larguar në drejtim të Renault, por të riun francez Pierre Gasly.
Testet e para parasezonale të Barcelonës do të zhvillohen javën e ardhshme, ndërsa Botërori i Formulës 1 do të nisë më 17 mars, me Çmimin e Madh të Australisë.