Kreu i Partisë Demokratike, Basha, ka deklaruar se sot populli mori pjesë në protestën më madhështore në Shqipëri.
Kreu i opozitës shkruan se populli është ngritur kundër qeverisë hajdute dhe kryehajdutit që po vjedhin vendin, ndërsa theksoi se sovrani diktoi sot rrugën pa kthim drejt së ardhmes.
“Një popull i tërë i bashkuar si kurrë më parë në protestën më madhështore në Shqipëri është ngritur kundër qeverisë hajdute dhe kryehajdutit të saj që e vjedhin dhe e varfërojnë përditë. Koha e fjalëve mbaroi! Sovrani diktoi sot rrugën pa kthim drejt së ardhmes!” – shkruan Basha në “Facebook”.
Më herët kryeministri Rama reagoi në “Twitter” për protestën e opozitës.
Ai iu drejtua protestuesve duke u kërkuar të mos i ndiqnin më liderët e opozitës ndërsa falenderoi vlonjatët duke thënë se ishin në anën e duhur të historisë.
“Për Protestuesit:Eshtë faji i atyre që ju tërheqin nga hunda apo juaji që akoma i ndiqni pas ata udhëhumbur?Për Vlonjatët:Sot ju i ritreguat Shqipërisë atë që dini më mirë,anën e duhur të historisë! Për Policinë e Shtetit:Ishte dita për të bërë dallimin e madh.Ju e bëtë! Respekt.” – shkroi Rama në “Twitter”.