Vendosni fjalën kyçe....

Taksa ndaj Serbisë, vendet që përfituan


Shqipëria nuk ka përfituar nga vendosja e tarifave 100% që Kosova ka aplikuar për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Një vendim politik që mund të kishte përfitime të mëdha ekonomike për vendin tonë, por që fatkeqësisht nuk ka ndodhur.

Sipas të dhënave të zyrës së statistikave të Kosovës, vetëm për muajin dhjetor importet nga Serbia ranë me 41 milionë euro. Nëse i shtojmë edhe importet e munguara nga Bosnje dhe Hercegovina, firoja e mallrave arrin në rreth 48 milionë euro, raporton A2 CNN.

Nga kjo diferencë, Shqipëria përfitoi duke rritur eksportet me vetëm 6.5 milionë euro.

Më e fituara ka qenë Greqia, që ka dyfishuar eksportet duke i rritur me rreth 9.4 milionë euro. Pas saj ndjek Sllovenia, që i shiti Kosovës në Dhjetor 8.8 milionë euro më tepër mallra.

Të fituara kanë dalë edhe Turqia e Maqedonia, me një rritje përkatësisht 7.1 dhe 4.8 milionë euro secila.

Pas taksës, Shqipëria zë aktualisht vetëm 5.7% të importeve të Kosovës. Arsyeja pse pavarësisht patriotizmit, produktet shqiptare kanë ende një pjesë fare të vogël të tregut, është struktura e eksporteve. Përtej kufirit ne dërgojmë materiale ndërtimi, minerale dhe produkte bujqësore. Ndërkohë që taksa 100% krijoi nevoja për ushqime të përpunuara dhe materiale plastike, ku hynë për të zëvendësuar pikërisht Greqia e Sllovenia.

Sipas ekspertëve, mbi tregtinë me Kosovën rëndojnë ende edhe shumë barriera jotarifore, si dhe paaftësia e qeverive për të orientuar prodhuesit drejt nevojave të tregut.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *