Pas propozimit të liderit demokrat Lulzim Basha për djegjen e mandateve të deputetëve të opozitës, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka lajmëruar një mbledhje grupi.
Pas mbledhjes së grupit të PD-së në orën 10:00, edhe LSI do të ketë mbledhje grupi në orën 13:00 pikërisht për të njëjtën çështje.
Në një konferencë të posaçme për mediat, 24 orë pas protestës masive në sheshin para Kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike lajmëroi djegien e mandateve parlamentare të opozitës, pasi siç tha, e ka lexuar mjaft qartë mesazhin e popullit në protestën e së shtunës.
“Ndaj unë jam sot këtu për t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj. Ndaj kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta vendimmarrëse të Partisë Demokratike të Shqipërisë djegien e mandatave parlamentare në mbështetje të qëllimit dhe aspiratës që ju dje dëshmuat se është mbarëkombëtare, europiane dhe e pandalshme, mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, Shqipërinë si gjithë Europa, qeverinë tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlament të popullit dhe jo të krimit”, u shpreh Basha.
Përmes kësaj opozita synon të shkojë në qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakoshme parlamentare.