Xhorxh Mendonsa, marinari që u bë i famshëm për puthjen ikonike teksa festonte fundin e Luftës së Dytë Botërore në sheshin “Times Square” të Nju Jorkut, ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare.
Ai ka ndërruar jetë në banesën e tij në Rhode Island ku jetonte me bashkëshorten e tij prej 70 vjetësh.
Fotografia e famshme ka fiksuar marinarin amerikan Mendonsa duke puthur 21-vjeçaren Greta Zimmer Friedman më 14 gusht 1945, ditën kur Japonia kapitulloi ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke i dhënë fund zyrtarisht Luftës së Dytë Botërore.
Duke qenë se fotografi Alfred Eisenstaedt nuk i dokumentoi dot identitetet e tyre në atë kohë, shumë njerëz gjatë viteve pretendonin se ishin çifti i fotografuar, derisa Mendonsa dhe Friedman u konfirmuan të ishin subjektet e Eisenstaedt.
Për vite me radhë fotografia u trajtua si ngjarje romantike, por më vonë u zbulua se Mendonsa dhe Friedman as nuk e njihnin njëri-tjetrin dhe se marinari ia rrëmeu puthjen Friedmanit, një asistente stomatologe e veshur në uniformën e saj të bardhë.
Friedman ka ndërruar jetë 3 vite më parë në moshë të thyer.