Presidenti Meta është pritur sot në Berlin, u prit në një takim të veçantë nga presidenti i Gjermanisë, Steinmeier.
Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen 30-vjeçare të Gjermanisë për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.
Në mënyrë të veçantë, Meta vlerësoi vëmendjen e madhe që Presidenti Steinmeier dhe Gjermania u kushtojnë marrëdhënieve me Shqipërinë dhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Duke u ndalur te zhvillimet më të fundit në rajon, të dy presidentët ndanë të njëjtin vlerësim se arritja e Marrëveshjes së Prespës është një shembull i suksesshëm që inkurajon edhe Kosovën edhe Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme në interesin më të mirë të paqes, stabilitetit dhe integrimit europian.
Nga ana e tij, Steinmeier e siguroi Metën se Gjermania do të vazhdojë të jetë një partner i rëndësishëm dhe mbështetës kryesore në proceset integruese për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e rajonit, me synim jo vetëm ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Ballkan, por mbi të gjitha, për t’i ndihmuar ata në avancimin e reformave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, forcimin e shtetit ligjor dhe prosperitetin e popujve të rajonit.
Në fund të takimit, Meta e ftoi Steinmeierin për një vizitë zyrtare në Shqipëri, që u mirëprit me kënaqësi.