Vendosni fjalën kyçe....

Sa ka shkuar numri i deputetëve që kanë firmosur djegien e mandatit


Deputetët e opozitës mbrëmjen e kaluar, njëri pas tjetrit kanë firmosur deklaratat me anë të cilave heqin dorë vullnetarisht nga funksioni në Parlament.

Që pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, që vendosi për të djegur mandatet parlamentare, edhe aleatët u bashkuan me të njëjtin qëndrim.

“I bindemi urdhërit të sovranit”, theksoi kryedemokrati Basha para selisë së PD-së, ku ishin mbledhur dhjetëra demokratë që brohorisnin.

“Sovrani është populli, janë qytetarët, jeni ju!”, shtoi më tej, duke lajmëruar edhe protestën për nesër në orën 10:00

“Shqiptarët do të kenë në krahun e tyre PD-në, njerëzit tanë do të jenë në krahë të qytetarëve si qytetarë të thjeshtë për të vendosur që kurrë më në Shqipëri të mos vendoset më një regjim tjetër diktatorial!”, tha Basha.

Por cilët janë deputetët që kanë firmosur deri më tani?

Nga Partia Demokratike dhe aleatët e vegjël që janë zgjedhur në listën e PD-së në 2017-ën, kanë firmosur të gjithë përveç Myslim Murrizit dhe Rudina Hajdarit.

Nga Myslim Murrizi nuk kemi asnjë reagim, ai nuk ka qenë dje në PD, ndërsa Rudina Hajdari ndodhet aktualisht në SHBA. Ajoka thënë për gazetën “Panorama” se: “nesër do vij në Shqipëri dhe shumë shpejt do të bëj publik qëndrimin tim”.

Megjithatë mbetet ende për t’u parë nëse Murrizi dhe Hajdari do vendosin deri sot gjatë protestës për djegien e mandateve.

Ndërsa nga LSI-ja kanë firmosur të gjithë për lënien vullnetarisht të mandatit, të gjithë përveç deputetit Lefter Koka, i cili pritej të mos firmoste pasi që në fillim është shprehur kundër djegies së mandateve.

Me 42 deputetë të PD-së që kanë firmosur dhe me 17 të LSI-së, kemi plot 59 deputetë që kanë djegur mandatet.

Për t’u zyrtarizuar pritet protokollimi nga Kuvendi, ku do të dorëzohen sot gjatë protestës.Pasi firmosi dorëzimin e mandatit, Basha tha se nuk ka më kthim pas.

 “Nuk ka kthim pas! Nesër së bashku si qytetarë të lirë para Parlamentit, ora 10.00“-shkruan Basha në Instagram.

Në dokumentin që deputetët e opozitës po firmosin shkruhet qartësisht se kërkohet një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. 4 kërkesat e opozitës janë: Zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, zgjedhje të lira dhe të ndershme, krijimi i klimës së besimit për Reformën në Drejtësi dhe përshpejtimi i negociatave për anëtarësimin në BE./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *