Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi i shoqëruar nga kryetari i FRPD, Belind Këlliçi dhe n/kryetari i FRPD Lisandër Hoxha, zhvilluan një takim pune me delegacionin e Parlamentit të Republikës Çeke, kryesuar nga kryetari i Komisionit për punët e Jashtme Ondřej Benešík.
Zyrtarët e lartë të PD, informuan delegacionin çek mbi situatën politike në Shqipëri dhe sqaruan parlamentarët e vendit anëtar të BE, se “djegia e mandateve ishte e vetmja rrugë që i kishte mbetur opozitës, përballë qeverisë së ardhur në pushtet me votat e blear nga krimi i organizuar dhe mundësia e vetme për të mbrojtur demokracinë e vlerave europiane”.
Delegacioni çek u informua edhe për të gjitha skandalet e qeverisë Rama, sidomos për rastet e identifikuara dhe të provuara nga hetime zyrtare per blerjen masive të votës nga element të krimit të organizuar për llogari të Partisë Socialiste në pushtet.
Zyrtarët e Partisë Demokratike rikonfirmuan bindjen se rruga e vetme e Shqipërisë është përshpejtimi i rrugëtimit europian të vendit, dhe se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si kriter për hapjen e negociatave, janë qëllimi kryesor që ka detyruar opozitën të ndërmarrë aktin e djegies së madateve.
“Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk mund të ketë demokraci funksionale në Shqipëri dhe nuk mund të ketë hapje të negociatave me BE.” – u shpreh z. Bardhi.