Erërat e forta që kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit, kanë krijuar një sërë problematikash në qarkullimin rrugor.
Paraditen e sotme një pemë me përmasa të mëdha është rrëzuar dhe ka bllokuar rrugën Tiranë-Elbasan në vendin e quajtur Lapidari i Krrabës.
Pema është rrëzuar si pasojë e erës së fortë. Fatmirësisht në momentin kur pema është rrëzuar, nuk ka patur automjete që po kalonin.
“Na ka shpëtuar zoti, ishim të parët që po ecnim kur ra një shtyllë dhe një pemë. Fati jonë që nuk ishim me shpejtësi, pasi pema mund të na kishte rënë në makinë. Frynë një erë e tmerrshme”, tregon një udhëtar.
Situata ka krijuar trafik në rrugën Tiranë-Elbasan, ku radha e automjeteve shkon deri në hyrje të tenelit të Elbasanit. E bllokuar ka mbetur edhe një ambulancë.
Të tjera incidente janë shënuar më herët në aksin Leshë-Milot ku raportohet për dy kamionë të rrëzuar si dhe për ndërprerje të energjisë elektrike.