Vendosni fjalën kyçe....

Thertorja e Bashkisë Tropojë figuronte e mbyllur, mishi prej një viti jashtë kontrollit


Emisioni Boom ka zbuluar skandalin e thertores së qytetit të Tropojës, që ndonëse për institucionet figuron e mbyllur, vazhdon aktivitetin e saj. Mjedisi në të cilin kryhet therja e kafshëve sipas ligjit duhet të garantojnë përmbushjen e kushteve higjienike, mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe mjedisit, ndryshe nga sa ndodh në thertoren  e Bashkisë Tropojë. Brenda godinës së amortizuar, i njëjti kasap që ka punuar prej vitesh vazhdon të ther për individë dhe biznese, duke vënë në rrezik shëndetin e konsumatorëve. Bashkëpunëtori i Boom bisedoi me kasapin, i cili jo vetëm pranon që në ato kushte të ther kafshën, por zotohet se mund të gjej edhe një veteriner për ta vulosur mishin fiktivisht.

Në lidhje me këtë skandal veterinerja e bashkisë shprehet se për institucionet thertorja prej një viti është e mbyllur,  po ashtu edhe dyqanet e mishit të cilat furnizoheshin prej saj. Përmes kamerave të fshehta Boom zbuloi të kundërtën, therje që kryehen për çdo ditë në thertore, jashtë të gjitha kushteve që përcakton ligji si dhe dyqane që shesin këtë mish as 100 metra larg zyrave të Bashkisë.

Deklarata e fortë e njërit nga shitësit e dyqaneve të mishit, se vulat e mishit janë fallco, ngre edhe njëherë alarmin për sigurinë ushqimore në vend. 

Përballë kësaj situate duket se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Bashkia Tropojë, institucione të cilat ngarkohen nga ligji për inspektimin e rregullave për therjen e kafshëve dhe tregtimin e mishit të tyre, kanë mbyllur sytë, duke lejuar konsumin e mishit të pakontrolluar për banorët e Tropojës , po ashtu edhe turistët e Parkut Kombëtar të Valbonës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e emisionit Boom në Ora News


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *