Mësohet se India ka kryer sulme ajrore mbi Pakistan, pas një sulmi me bombë më herët këtë muaj.
Ministri indian i Bujqësisë, Gajendra Singh Shekhawat, lajmëroi se avionët e vendit kishin bërë një bombardim të suksesshëm kundër terroristëve në anën e Kashmirit, të kontrolluar nga pakistanezët.
“Forcat Ajrore kryen sulme ajrore sot në mëngjes në kampet e terrorit në të gjithë KVK-në (Linja e Kontrollit) dhe e shkatërruan plotësisht atë”, shkroi këtë mëngjes ministri në twitter.
Autoritetet në Pakistan thanë se aeroplanët indianë “lëshuan bomba” ndërsa iknin, shkruan RT.
Sipas mediave indiane, 12 avionë luftarakë Mirage 2000 bombarduan vendet që i përkisnin grupit xhihadist Jaish-e-Mohammed, që është aktiv në Kashmir.
Sulmet ishin “100 për qind të suksesshme” dhe shkuan “tamam ashtu siç është planifikuar”, raportoi NDTV.
Zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, gjeneral-major Asif Ghafoor, tha se nuk kishte viktima dhe “asnjë infrastrukturë nuk u godit” gjatë sulmit.
Ghafoor ka publikuar foto që tregojnë pjesë të një municioni që sipas tij u hodh nga avioni indian. Fotot tregojnë gjithashtu pemë që thuhet se u shkatërruan gjatë sulmit.
Por sikurse shkruan “BBC”, ministri i Jashtëm indian Vijay Gokhale tha se sulmet kanë vrarë disa militantë.
“Një numër i madh i terroristëve të JeM u vranë. Sulmi shmangu viktimat civile,” tha ai.
Sipas ministrit indian “Inteligjenca kishte zbuluar që JeM po planifikonte sulme vetëvrasëse në Indi. Përballë rrezikut të menjëhershëm, një sulm parandalues u bë absolutisht i nevojshëm”. Ai tha se komandantët e lartë të grupit terrorist ishin vrarë.
Tensionet në këtë rajon janë rritur që pas një sulmi ndaj policisë ushtarake indiane, ku mbetën të vrarë 40 persona.