Transmetuesi kinez “Mango TV” po përballet me kritika pasi teleshikuesit kanë vënë re se ata kanë censuruar një pjesë të fjalimit të aktorit fitues së çmimit “Oscar”, Rami Malek.
Për shkak të rolit të tij në filmin Bohemian Rhapsody, një biografi për Freddie Mercury- këngëtarin e grupit Queen, Rami Malek u shpall fitues si aktori më i mirë në rol kryesor.
Ndërsa pranonte këtë çmim, Malek tha se ky film mund të ndihmonte ata që luftojnë me identitetin e tyre.
“Bëmë një film për një njeri homoseksual, një emigrant, i cili jetoi jetën e tij pa u ndjerë i penduar”, tha aktori.
Por “Mango TV”, një nga kanalet më popullore të Kinës, shmangu përdorimin e fjalës “homoseksual”, duke e përkthyer në “grup të veçantë”.
“BBC” shkruan se ky televizion njihet dhe për censurimin e referencave të grupit LGBT gjatë Festivalit të Këngës në Eurovizion.
Përkthimi i gabuar ka gjeneruar reagim të rëndësishëm online. Mijëra përdorues të Sina Weibo, një platforme kineze e mikro-blogging, kanë shpërndarë screenshots të mbulimit të transmetuesit.
Blogeri i njohur i muzikës, Linglei Guodu ishte midis atyre që vunë re përkthimin e gabuar.
“Mango TV përktheu ‘njeriun homoseksual’ si ‘grup të veçantë”, shkroi blogeri. “Ka ende shumë njerëz në shoqërinë e sotme që tregojnë paragjykime ose diskriminojnë duke iu referuar homoseksualëve ‘njerëz të veçantë’,” shkroi një tjetër përdorues.