Një 69-vjeçari u vra mbrëmjen e kaluar në qytetin e Vlorës dhe autori dyshohet se ka qenë pikërisht nipi i tij, që bëri denoncimin e ngjarjes.
69-vjeçari me iniciale V.K. është qëlluar me një plumb pas koke ndërsa sipas dyshimeve të para mendohej se bëhej fjalë për një grabitje.
“Më datë 27.02.2019, rreth orës 20:40 është dërguar për ndihmë mjeksore në Spitalin Rajonal Vlorë i moshuari 69 vjeçar V.K, i cili është konstatuar nga nipi i tij me dëmtime në kokë ende të pa përcaktuara se nga janë shkaktuar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”, thuhej në njoftimin e parë të policisë, para se i moshuari të shpallej i vdekur.
Nipi i viktimës madje doli në një intervistë për mediat, ku shprehej se e kishte gjetur gjyshin të larë në gjak në shtëpinë e tij.
“Kur erdha e gjeta derën e hapur dhe pashë gjyshin e plagosur. Më pas dola jashtë me vrap dhe thirra ambulancën”, tregonte i riu, i cili më pas thotë se dyshon se bëhet fjalë për një grabitje.
“Kishin hedhur të gjitha rrobat në shesh. Kishin hapur çantat e lekëve. Po kishin marrë lekë, 1 milionë lekë. Gjyshit i rridhte shumë gjak. Nuk di kujt t’i vë gishtin. Është grabitje.”, thotë ai me një qetësi.
Rrëfimi i nipit pak minuta pas ngjarjes duket se ka ngjallur dyshime tek hetuesit të cilët pas e kanë marrë në pyetje. Nipi në fund ka pranuar se ishte ai që e ka vrarë gjyshin dhe ka zbuluar dhe vendin ku e kishte fshehur armën.
I riu jetonte vetëm me gjyshin, i cili ishte ai që e kishte rritur pasi prindërit i kishin vdekur në një aksident qëkur ai ishte i vogël.