Kreu i Partisë Demokratike, Basha, nuk e ka komentuar delegacionin e BE-së dhe deklaratat e tyre ditën e sotme.
Ai ka zgjedhur vetëm një fjali për të dhënë mesazhin e tij duke thënë: “Unë nuk komentoj deklaratat e miqve të huaj.”
Kaq ka mjaftuar dhe më më tej ai ka deklaruar se opozita do i qëndrojë vendimi të saj për djegien e mandateve dhe nuk do bëjë asnjë hap pas në misionin që ka marrë përsipër për të kthyer në vend zgjedhjet e lira e të ndershme.
Ai i bëri deklaratat pas daljes nga një takim me strukturat e PD-së, në Shkodër, ku theksoi se vendi qeverisej nga një bandë dhe largimi i saj do ishte hapi i parë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Unë nuk komentoj deklaratat e miqve të huaj. Por mund të them, mos më kërkoni asgjë që nuk do e pranonit për popujt tuaj. Përmes këtij rrugëtimi që nis nga Shkodra do sjellim vlerat e Evropës edhe për shqiptarët. Rrugën drejt BE-së po e pengon krimi dhe korrupsioni.
Nuk shkohet në Evropë me gënjeshtar dhe hile. Pengesë për integrimin është kthimi i Shqipërisë në Kolumbi. Shqipëria nuk ka parlament, por ka bandë. Aksioni ynë është protesta dhe mosbindje civile. Në Evropë shkohet me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ata që vodhën votat të dalin para drejtësisë.” – tha Basha.
I pyetur nëse opozita do futej në zgjedhjet lokale, Basha tha se deri në qershor ka ende kohë për të marrë një vendim duke shkëmbyer batuta me gazetarin:
Gazetari: Do hyni në zgjedhjet lokale?
Basha: Kur janë zgjedhjet lokale?
Gazetari: Në qershor.
Basha: Ok, kemi kohë për këtë, të qëndrojmë te tema.
Më herët kryetarja e LSI-së, deklaroi se opozita nuk do ndërmarrë asnjë hap pas në misionin e saj për të kthyer zgjedhjet e lira e të ndershme në vend. /Hashtag.al