Komuniteti Mysliman Shqiptar do të zgjedhë kreun e ri që do të drejtojë për vite institucionin fetar, ndërsa në garë janë dy emra të njohur.
Skënder Bruçaj, që mban aktualisht kreun do të rikandidojë por një emër tjetër i njohur sfidon drejtuesin aktual.
Ai është Bujar Spahiu, teolog, i cili aktualisht qëndron në rolin e nënkryetarit.
Po kush është rivali i kryetarit Bruçaj për kreun e Komunitetit Mysliman?
Nëpërmjet kërkesës që Spahiu u bën anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, zbulohet më shumë për të.
Teologu ka studiuar në Universitetin Al-Azharit në Kajro të Egjiptit, me një histori mbi 1000- vjeçare.
“Vendosa të kandidoj për Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nisur nga kërkesa e brendshme e besimtarëve shqiptarë. Prej 10 vitesh mbaj detyrën e Nënkryetarit në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Unë gjykoj të ngrihem mbi këtë podium të mbroj vlerat morale dhe historike të Islamit dhe popullit shqiptar.”, artikulon arsyet e kandidimit Spahiu.
Kandidati deklaron që ka ardhur koha për KMSH-në që të përfaqësohet nga një teolog që është i pandikuar nga influenca të çdo kahu qofshin.
“Mendoj se ka ardhur koha që myslimanët shqiptar të përfaqësohen nga një teolog, i pa ndikuar nga influenca të çdo kahu qofshin. Të përfaqësohen denjësisht ashtu siç ata meritojnë. Populli shqiptar në tërësi ka nevojë të ruhet paqja, stabiliteti dhe harmonia e ngritur me aq mund nga paraardhësit tanë. Unë, me ndihmën e Zotit, do të jem zëri i çdo besimtari dhe besimtareje mysliman, do ta përfaqësoj atë me drejtësi. Do jem larg çdo retorike, e cila nuk i përket dhe bie ndesh me fenë islame.”, thekson Spahiu.
“Të përpiqemi sëbashku të përfaqësojmë denjësisht vlerat e larta të islamit”, e mbyll urimin e tij Spahiu, teksa shpreh gatishmërinë për të shërbyer në krye të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.