Siç e ka zakon, kryeministri Edi Rama edhe në intervistën e tij të fundit në emisionin italian “Porta a Porta” në Rai 1, ka përdorur batuta të dala boje për t’ju përgjigjur pyetjeve serioze për sitiatën politike në vend, akuzave për blerjen e zgjedhjeve me anë të krimit të organizuar, gjendjen ekonomike të vendit, drogës dhe protestave në vend.
Në vend që t’i përgjigjej seriozisht akuzave për kriminalitetin në vend, ngërçin në procesin e integrimit, apo djegien e mandateve nga opozita, Rama arriti deri në atë pikë, saqë sikurse ka bërë edhe më parë në rrjetet sociale apo në Parlamentin shqiptar, të krahasojë veten me Christiano Ronaldon edhe para publikut italian.
Duke përdorur kështu një batutë për të disatën herë.
“Unë jam Ronaldo”
I pyetur për ligjin elektoral dhe djegien e mandateve nga opozita, Rama u përgjigj duke krahasuar veten me Cristiano Ronaldon dhe Parlamentin me skuadrën e Juventusit:
“Kemi një ligj elektoral rajonal-proporcional, pra me lista. Pra kjo është çështja, ata kanë braktisur Parlamentin dhe thanë që nuk hyjnë në këtë Parlament, kryeministri duhet të largohet, një tjetër qeveri që ka pëlqimin tonë duhet të krijohet.
Pra, ”Juventusi” duhet të largohet. Duhet të krijohet një skuadër që duam ne, pa Cristiano Ronaldon dhe të fillojmë nga e para. Kështu nuk shkon. Më pas ikën dhe tani ata që janë më poshtë në lista po hyjnë në Parlament. Pra është një situatë shumë unike. Unë nuk di asnjë rast tjetër përveç Aventinos italian të viteve ’20. Është një vetëvrasje politike.”
Këtë batutë kryeministri Rama e ka përdorur që në momentin e parë që opozita vendosi për djegien e mandateve. Në një postim në Twitter, Rama krahasonte maxhorancën me Juventusin dhe opozitën me ndjekësit të cilët nuk e fitojnë dot dhe kërkojnë të lenë garën në mes.
“Ky Juventusi s’durohet më! Të anulohet kampionati. Kush është mbrapa të djegë fanellat e iki nga fusha. Kjo skuadër e poshtër të heqë dorë nga avantazhi, të mos e bëjë më vetë formacionin dhe të fillojë ndeshjet nga e para! Ndryshe s’ka më futboll, po vetëm e ka kush e ka rrugëve”- shkruante Rama. Deklaratë të cilën e përsëriti edhe më vonë në Parlament.
BE vs Rusia
“Jo të gjithë e duan Shqipërinë në Europë dhe nuk është sekret që Rusia është kundër zgjerimit të Europës”, kjo është batuta tjetër që Rama përdori mbrëmë para gazetarit italian.
Batutë të cilën e ka përsëritur vazhdimisht përgjatë periudhës së tij në pushtet.
Sa herë që hapej tema e hapjes së negociatave të Shqipërisë në BE, Rama do të përsëriste një batutë të ngjashme për problemet e Europës me veten, dhe që Shqipëria po përjashtohet kot nga hapja e negociatave.
Madje në të njëjtën intervistë për Rai 1, kur gazetari i tha “Ka njerëz që jetojnë mirë në Shqipëri por ka edhe të tjerë që jetojnë keq. Dhe kjo mund edhe kanë dalë të protestojnë në shesh.”, përgjigja e Ramës ishte “Besoj se kjo mund të thuhet edhe për Italinë”, duke kujtuar se shqiptarët nuk janë të vetmit me probleme.
Po ashtu ai shpesh ka përmendur edhe Rusinë si një vend që po punon për moszgjerimin e Europës apo edhe që po punon për të krijuar në vendet e Ballkanit një klimë anti-BE.
Në vitin 2016-të, Rama do të shprehej gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”: “Rusia dhe militantët islamikë mund të përpiqen të rrisin ndikimin e tyre në vendet e Ballkanit nëse Bashkimi Evropian nuk do t’i pranojë si anëtarë”.
Batutën për lodhjen e Evropës nga zgjerimi dhe se jo të gjitha vendet e duan Shqipërinë në BE, Rama e përdori mbrëmë, por të njëjtën gjë ka deklaruar edhe në vitin 2014, 2015, e në vijim.
/Hashtag.al