Analisti Fatos Lubonja e ka konsideruar shfaqjen e Ramës në emisionin “Porta a Porta”, si turpin e turpit të gazetarit italian Bruno Vespa.
“Vespa nuk njihet në Itali si ata që thonë të vërtetën, por si shërbëtor i regjimit të Berluskonit. Sado që e kam ndjekur prej kohësh Italinë edhe Vespën ajo që pashë dje i kalonte caqet e imagjinatës sime. Edhe në Shqipëri edhe gazetarët me shërbëtorë bëjnë kujdes të ftojnë në studio jo vetëm njerëz që mbështesin njërën palë, por edhe palën e kundërt, ndërkohë që ai kishte ftuar Ramën dhe tre personazhe, ku njëri ishte gazetari i Liberos që s’dinte asgjë nga Shqipëria, i dyti Igli Tare që është futbollist dhe s’ka jetuar fare në Shqipëri, aq më tepër që njihet si njeri i afërt me Ramën dhe i treti një sipërmarrës edhe ai i panjohur. Mua më bëri përshtypje që mungonte publiku shqiptar, mungonte një intervistë me njerëzit, një zë i paanshëm, s’po them politik por mungonte gjithçka. Ishte qartazi një gjë si mund ta thuash: e blerë! Ndoshta jo me lekë por me influenca. Ishte turpi i turpit të Bruno Vespës, ndaj besoj edhe e kishte futur në pjesën e fundit. Kryeministri i një vendi në vend që të ketë 15 minuta në orën kryesore, futet atje në fund pas debateve të rëndomta të ditës, kjo ishte e neveritshme. Nëse duan të mësojnë ç’ndodh këtu le të vijnë gazetarët italianë, por jo të niset kryeministri nga Shqipëria për të sqaruar çfarë ndodh këtu dhe për të rregulluar imazhin e Shqipërisë”,– tha Lubonja.
Analisti ka komentuar dhe deklaratat e tenorit Saimir Pirgu, që protestat e opozitës kanë prishur imazhin e Shqipërisë. Sipas Lubonjës, deklaratat e tij janë fyerje për inteligjencën e njeriut.
“Këta janë fyerje për inteligjencën e çdo njeriu e jo vetëm shqiptarëve. Sepse ne e kemi parë çfarë ndodh në Greqi ku jo një gomë, por janë djegur pafund atje dhe nuk ka dalë ndonjë figurë artistike greke që të thotë se ‘shikoni si na u prish imazhi i Greqisë’, përkundrazi kanë qenë në anën e protestuesve. Por këta janë disa palaço që kaq meritojnë t’ua thuash”, tha Lubonja në një lidhje me “skype” me “News 24”.
Saimir Pirgu tha para pak ditësh që i “duhen 200 koncerte për të pastruar imazhin e Shqipërisë jashtë vendit”. Deklaratë kjo që shkaktoi debat në opinionin publik.