Vendosni fjalën kyçe....

“Barbarizëm i vërtetë i narkoshtetit”


Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me situatën te Petro Nini, ku familjarët e dy banesave që rrezikojnë të shemben, kanë dalë të protestojnë duke bllokuar rrugën.

Berisha e konsideron këtë një krim të shëmtuar. “Barbarizem i vertetë i narkoshtetit, i prishin shtëpinë dhe e nxjerrin në rrugë. Krim i shëmtuar.”, shprehet Berisha.

Punonjësit e IMKT-së kanë tentuar sot të shembin një banesë pranë shkollës Petro Nini Luarasi. Por familjarët kanë bllokuar rrugën. Situata u tensionua edhe më shumë, ku disa prej banorëve humbën ndjenjat në mes të rrugës.

Një prej tyre është një grua shtatzënë, e cila ka pësuar dhe kontraktime. Pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, një nga gratë ka deklaruar për mediat: “Mora mjekimin e parë, por tani po më rreh zemra më shumë. Po vdesim. Po na merr jetën, maskarai. Shtëpinë ia kemi blerë shtetit.”

Sakaq fëmijët e familjes kërcënuan të hidheshin nga çatia e banesës, ndërsa më pas ndërtesa mori flakë.

Situata u tensionua akoma më shumë kur nisi një përplasje mes policisë dhe banorëve. Disa prej banorëve, efektivët po i shoqërojnë në komisariat, por janë ndeshur me rezistencë.

Sipas një prej banorëve, tensioni ka ardhur pasi policia ka shoqëruar një prej tyre vetëm pse sqaroi situatën para mediave.

 “E shoqëruan se po jepte informacione për mediat. Duan të na nxjerrin në rrugë, nuk na japin shtëpi”,– tha banori.

Banesa e këtyre banorëve ndodhet në truallin e ish-pronarëve që kanë një vendim gjykate për kthimin e truallit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *