Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, ka akuzuar kryeministren britanike Theresa May, se ka patur probleme me gjumin për shkak të saj, pas një takimi që të dy patën mbrëmjen e së hënës.
Juncker tha të nesërmen në mëngjes para Parlamentit Europian: “nuk kam fjetur shumë natën e fundit për shkak të zonjës May”.
“Exspress.co.uk” shkruan se pas takimit në Strasburg, Theresa May këmbënguli se ajo ka siguruar ndryshime “të detyrueshme” në marrëveshjen e Brexit ndërsa presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, këmbënguli se nuk do të ketë rinegociime të mëtejshme.
Ai u bëri thirrje deputetëve që të mbështesin marrëveshjen e tërheqjes.
Duke folur bashkë me kryeministrin sllovak Peter Pellegrini, në Parlamentin Evropian, Juncker u tha eurodeputetëve: “Do t’ju tregoj një sekret. Nuk kam fjetur shumë natën e fundit për shkak të znj. May, por pata mjaft kohë për të ëndërruar për Sllovakinë”.
“Ne arritëm një marrëveshje mbrëmë me qeverinë britanike për kushtet e Brexit, dhe i thashë mbrëmjen e djeshme, ose gjatë gjithë natës se ky ishte shansi i dytë, por nuk do të kishte një shans të tretë”.
“Prandaj do të doja që deputetët britanikë të mbështesin masat”, tha gjithashtu Juncker.