Partia Demokratike ka denoncuar dhunën dhe presionin ndaj kandidatëve për deputetë, nga listat e opozitës që të pranojnë mandatin.
Ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i cili ka denoncuar presionin ndaj kandidatit për deputet nga listat e PD-së për qarkun e Fierit, Pandeli Tole.
Sipas Baçit, Toles i kanë prerë mandatin e arrestit dhe po e mbajnë në paraburgim pasi nuk e ka pranuar mandatin.
“I kanë prerë fletëarrestin dhe po e mbajnë brenda në paraburgim pasi nuk ka pranuar mandatin. Pandeli Tole po mbahet në mënyrë të padrejtë në qeli. Mbahet në birucë dhe po i bëhet presion. Policia është vendosur në shërbim të politikës dhe qeverisë. Po cënon të drejtat e qytetarëve fierakë.” – u shpreh Baçi.
Pandeli Tole është arrestuar mesditën e së mërkurës ndërsa mbahet ende brenda në paraburgim.