Tre të rinj dhe një 55-vjeçar janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “qelqi”, që ka goditur dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.
Të arrestuarit janë: E. Xh., 26 vjeç, S. D., 24 vjeç, A. B., 24 vjeç, si dhe B. V., 55 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 1 kilogramë e 251 gramë lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sativa, si dhe 19 doza të dyshuara Heroinë.
55 -vjeçari ka qenë i arrestuar dhe i dënuar edhe më parë për “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.
Detajet e policisë
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtoriën Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e posaçme “Shqiponjat”, dhe Patrullat e Përgjithshme, në zbatim të detytrave të përcaktuara në planin e masave për intensifikimin e kontrolleve me qëllim rritjen e forcës parandaluese dhe goditëse në drejtim të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla , kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Qelqi”.
Si rezultat gjatë operacionit Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P.Tiranë, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:
- Xh., 26 vjeç, banues në Tiranë
S. D., 24 vjeç, banues në Tiranë
A. B., 24 vjeç, banues në Tiranë
Tre shtetasve të mësipërm gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin po udhëtonin, Policia iu gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 1 kilogranë e 251 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Këta shtetas kishin si qëllim nxjerrjen dhe shitjen e lëndës narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit. Për të shmangur dyshimet e Policisë mjetin me të cilin po qarkullonin këta shtetas e kishin marrë me qera.
Po gjatë operacionit ra në prangat e Policisë edhe shtetasi B. V., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.
Policia dispononte informacione se ky shtetas merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike të drogërave të forta, kryesisht heroinë në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe rrugës së “Qelqit”. Lëndën narkotike ky shtetas e siguronte nga persona të tjerë, për të cilët vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.