Shqipëria renditet në vendin e 107 nga 156 shtete në Indeksin e Lumturisë 2019, të publikuar sot nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke qenë e fundit në Europë, pra më e palumtura, ndonëse ka shënuar përmirësim të lehtë prej 5 vendesh në raport me renditjen e vitit të mëparshëm.
Treguesit në të cilët bazohet indeksi marrin për bazë të ardhurat për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit, tregues për të cilët shqiptarët duket se rezultojnë më të pakënaqurit në rajon dhe Europë.
Shqipëria renditet në pothuajse të njëjtat nivele me shtete të tilla si Venezuela, Kamboxhia, Territoret Palestineze, Somalia, Namibia, Laosi etj.
Ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë, ata të Kosovës janë shumë më pozitivë dhe të lumtur me jetën e tyre. Kosova, renditet në vend të 46, me një përmirësim të ndjeshëm prej 20 vendesh dhe duke qenë më e lumtura në rajon dhe e 16-a në botë për ndryshimin pozitiv të këtij indeksi për periudhën 2016-2018.
Nga vendet e rajonit, Bosnja është në vend të 78, me një përmirësim të dukshëm nga 98 që ishte vitin e mëparshëm, Maqedonia në vend të 84 (përmirësim me 5 vende), Mali i Zi në vend të 73 (përmirësim me 8 vende), Serbia në vend të 70 (8 vende më shumë),
Vendet nordike vijojnë të jenë më të lumturat. Në renditjen e fundit, në vend të parë për të dytin vit radhazi është Finlanda, e ndjekur nga Danimarka, Norvegjia, Islanda, Holanda, Zvicra, Suedia, Zelanda e Re, Kanadaja dhe dhjetëshen e mbyll Austria.
Shtetet më të palumtura në botë janë Ruanda, Tanzania, Afganistani, Sudani i Jugut.
Ndër 20 vendet më të korruptuara në botë
Treguesi me renditjen më të keqe është korrupsioni, ku Shqipëria renditet në vendin e 134, sërish ndër 20 më të korruptuarat në botë, siç e kanë nxjerrë dhe raporte të mëparshme. Marrja e korrupsionit është mesatarja rajonale e përgjigjeve të të anketuarve ndaj dy pyetjeve të sondazhit të GALLUP: “A është korrupsioni i përhapur nëpër qeveri apo jo” dhe “A është korrupsioni i përhapur mes bizneseve apo jo?” Përgjigjja është mesatarja mes përgjigjeve 0 ose 1 (sa më afër zeros aq më pak i korruptuar), ku Shqipëria vlerësohet me 0.9, pra shumë afër 1, që tregon një vend të korruptuar dhe me rritje në këtij treguesi në raport me vitin e mëparshëm, kur ishte 0.87.
Në Europë, krahas Shqipërisë, perceptimi për korrupsionin është i lartë dhe në Itali, Bullgari, Kosovë, Maqedoni.
Treguesi tjetër problematik është ai i mbështetjes sociale, ku jemi në vend të 133, i ndjekur nga ndjenja negative (108), ndërsa më mirë renditemi në pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje (40).
Raporti
Raporti i Lumturisë është i bazuar në një anketë vjetore, ku pyeten rreth 1000 individë në më shumë se 150 vende të botës, të cilëve ju kërkohet që të rendisin, nga 1 në 10, për të parë nëse janë duke jetuar mirë apo jo. (Shqipëria ka marrë këtë vit 4.719 pikë).
Raporti synon të masë dhe të kuptojë mirëqenien subjektive.
Studiuesit kanë përdorur gjashtë tregues për të kuptuar rezultatet: Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, bamirësinë, lirinë për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.
Individëve u bëhen nga Instituti Gallup pyetje të tilla si “Nëse do të ishit në telashe, a keni të afërm apo miq se ku mund të mbështeteni që t’ju ndihmojnë kur keni nevojë?”, apo “A jeni të kënaqur apo të pakënaqur me lirinë për të zgjedhur atë që doni të bëni në jetë?”. Një tjetër pyetje është “A keni dhuruar para për bamirësi muajt e fundit?”.
Perceptimet për korrupsionin merren po nga sondazhi i Gallup për dy pyetje: “A është korrupsioni i përhapur në qeveri apo jo?” dhe “A është korrupsioni i përhapur tek bizneset?”. Këto pyetje kombinohen me tregues të tjerë, si të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse të publikuara nga Banka Botërore dhe të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë lidhur me pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al