Pas vrasjes së avokatit Ravik Gurra, Dhomave e Avokatisë së Shqipërisë u ka bërë apel organeve ligjzbatuese të zbardhin sa më parë ngjarjen e rëndë. Përmes një deklarate për mediat, DHASH shton se kërcënimet ndaj avokatëve po përshkallëzohen dita-ditës.
“Dhoma e Avokatisë të Shqipërisë, nëpërmjet mediave u vu në dijeni të vrasjes me armë zjarri të avokat Ravik Gurra, anëtar i Dhomës të Avokatisë Tiranë. Ajo e tronditur thellë nga kjo ngjarje, me shqetësim dhe indinjatë të thellë ju kërkon organeve ligjzbatuese duke i dhënë përparësi gjetjes dhe vënies para përgjegjësisë të autorëve të kësaj vepre e cila vjen e bëhet çdo ditë më prezente në kërcënim të jetës dhe shëndetit ndaj avokatëve, veprime që kanë marrë përshkallëzim në rritje ndaj profesionit sa të nderuar aq edhe fisnik të avokatit”.
Avokati Gurra u vra në qendër të qytetit të Elbasanit nga një autor i paidentifikuar me 3 plumba. Paraprakisht, dyshohet se ngjarja ka lidhje me detyrën e tij, pasi mbrojte interesat e Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të fisit të Capjave.