Nga Ilir Ciko
Autoritetit Kombëtar të Ushqimit
Në vëmendje të z. Agron Hetoja
Drejtor i Përgjithshëm
Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve
Pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë
Tiranë, 29 mars 2019
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Në vijim të një denoncimi publik të kryer rreth fallsifikimit të informacionit të skadencës për një produkt ushqimor të blerë pranë Conad Albania (Food Trade Shpk) ndodhem në një proces gjyqësor të cilin kompania e ka kërkuar me akuzën e shpifjes për këtë rast. Do të vazhdoj të mbroj të drejtën time të plotë të lirisë së të shprehurit, të drejtave të konsumatorit dhe mbrojtjes së një kauze publike me interes të lartë për të gjithë shoqërinë shqiptare.
Arsyeja që po ju drejtohem, është tjetër. Kërkoj ndërhyrjen Tuaj të menjëherëshme dhe me të gjithë fuqinë që ju jep ligji shqiptar pasi krahas fallsifikimit të informacionit të skadencës së produktit në fjalë, nga dokumentacioni dhe provat e disponuara rezulton se:
- Kompania po mashtron me praktika çorientuese dhe të padrejta publikun, institucionet dhe konsumatorët shqiptarë.
- Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të angazhuar në këtë rast, kanë abuzuar rëndë me detyrën, duke shtrembëruar, mendoj qëllimisht, përmbajtjen e akteve ligjore të Republikës së Shqipërisë, dhe kanë keqpërdorur fuqinë ligjore të shtrembëruar të këtyre akteve, me pasojë fshehjen e shkeljeve ligjore nga kompania, mbrojtjen e saj dhe nëpërkëmbjen e të drejtës së konsumatorit.
- Operatori Conad Albania, si dhe operatorë të tjerë të ngjashëm ekonomikë, përdorin praktika të dyshimta dhe me rrezik për publikun, për paketimin dhe etiketimin e disa produkteve ushqimore – mishi, djathi etj.
Lejomëni t’iu argumentoj sa më sipër, duke qenë plotësisht në dispozicion për çdo pyetje të mëtejshme që mund të keni:
1.Kompania po mashtron me praktika çorientuese dhe të padrejta publikun, institucionet dhe konsumatorët shqiptarë.
Në deklaratën publike të drejtorit të Conad Albania, datë 4 Shkurt 2019 (bashkëngjitur), për produktin “kërpudhë” shprehet se ‘Legjislacioni…shqiptar…nuk parashikon asnjë obligim ligjor për të vendosur datën e skadencës’. Po kështu, në deklaratën publike të datës 27 Mars, ripublikuar më 28 Mars, kompania përsërit se: ‘Conad_Albania tregoi transparencë të plotë ndaj rastit, duke shpjeguar se për produkte të tilla si kërpudha, për të cilën pretendonte Z.Ciko se bëheshin manipulime në etiketim, apo produkte të tjera si frutat dhe perimet, nuk vendoset në etiketë afat skadencë. Për këtë arsye, as ligji shqiptar e as ai evropian nuk e kërkojnë një gjë të tillë.’
Fatmirësisht apo fatkeqësisht, këto deklarata nuk janë të vërteta dhe bien ndesh me legjislacionin shqiptar dhe atë evropian. Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.1344, datë 10.10.2008 “Për miratimin e rregullave “Për etiketimin e produkteve ushqimore”, në Nenin 9 ‘Deklarimi i afatit të jetëgjatësisë minimale’, detyron operatorët ekonomikë (Në vijim të Nenit 4.5) që të vendosin në etiketën e produktit përkatës informacionin rreth afatit të jetëgjatësisë minimale të tij.
Pika 5 e Nenit 9 të këtij vendimi, e cila përfshin produktet ushqimore që përjashtohen nga ky rregull, NUK përfshin kategorinë ‘kërpudha’, duke e lënë në fuqi detyrimin e mësipërm. Një qasje e tillë, veç detyrimit ligjor ka sens të plotë logjik dhe është krejtësisht në pajtim me praktikat europiane (foto të produkteve të njëjta me date skadence janë publikuar nga shumë qytetarë në faqen zyrtare të Conad Albania) në zbatim të Direktivës Nr 1169/2011 të BE, pasi për nga rrezikshmëria mikrobiologjike kërpudhat nuk mund të krahasohen me mollët, bananet apo patatet, për të cilat vëzhgimi me sy i mjafton konsumatorit për të kuptuar gjendjen e tyre.
Conad Albania nuk ndalet së mashtruari duke shpërndarë këtë informacion të rremë ndaj publikut. Kompania shkon edhe më tej, duke deklaruar se ‘Në rastin e kërpudhave të freskëta…operatorët tanë kanë parashikuar 7 ditë si afat për konsumimin e tyre’ (Deklarata e z. Pietro Tafuni, Administrator i Conad Albania, 4.2.2019).
Lutem, gjeni bashkëlidhur pamje të produktit të paketuar më datë 28 Nëntor në Itali, dhe të ripaketuar e hedhur në tregun shqiptar më datë 7 dhjetor, pra 9 ditë më pas, kohë kur edhe sipas të nderuarit Tafuni, produkti duhet të konsiderohej i skaduar nga vetë kompania.
2.Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të angazhuar në këtë rast, kanë abuzuar rëndë me detyrën, duke shtrembëruar, mendoj qëllimisht, përmbajtjen e akteve ligjore të Republikës së Shqipërisë, dhe kanë keqpërdorur fuqinë ligjore të shtrembëruar të këtyre akteve, me pasojë fshehjen e shkeljeve ligjore nga kompania, mbrojtjen e saj dhe nëpërkëmbjen e të drejtës së konsumatorit.
Conad Albania ka publikuar Proces Verbal Inspektimin e datës 5 shkurt 2019, të kryer fill pas denoncimit tim, nënshkruar nga tre inspektorët e Degës Rajonale Tiranë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Proces verbali na tregon për një situate pa kurrëfarë problemi pranë kompanisë, dhe inspektorët e AKU përfundimisht kanë hedhur poshtë denoncimin tim (pa më kontaktuar) duke nënshkruar dhe vendosur referencën ligjore (bashkëngjitur) si më poshtë:
‘Në lidhje me etiketën në gjuhën shqipe, referuar VKM Nr.1344, datë 10.10.2008 “Për miratimin e rregullave “Për etiketimin e produkteve ushqimore”, Neni 9 pika 5, ku shprehimisht thuhet:
deklarimi i datës së skadencës nuk kërkohet për fruta perime të freskëta kategori të tilla që hyjnë dhe kërpudhat’.
Por, lutem lexoni përmbajtjen e VKM Nr.1344, datë 10.10.2008, Neni 9, pika 5:
“deklarimi i datës së skadencës nuk kërkohet për: fruta të freskëta dhe perime, përfshirë patatet, që nuk janë qëruar, prerë ose trajtuar.”
Siç shihet, kërpudhat, që nuk janë as fruta dhe as perime, nuk përfshihen në këtë përjashtim. Por për më tepër, inspektorët e AKU kanë marrë guximin ta shtojnë me inisiativën e tyre këtë kategori, duke e cituar atë si të tillë në vendimin e qeverisë.
I nderuar zoti Hetoja,
Jeni emëruar Drejtor i Përgjithshëm i AKU pas këtij rasti dhe natyrisht nuk keni përgjegjësi për sa ka ndodhur. Por keni përgjegjësi të jashtëzakonëshme për të ndaluar abuzime të tilla në të ardhmen. Në plot vite përvojë, kam parë jo pak raste se si individët shpërfytyrohen me abuzimet në detyrë në të gjitha nivelet e shtetit shqiptar duke e keqpërdorur ligjin e duke shfrytëzuar hapësirat që ai jep.
Por sinqerisht, kurrë, kurrë nuk kam parë që një funksionar, përfaqësues i shtetit e në mbrojtje të qytetarit, të citojë në mënyrë të vullnetshme, jo gabim, por duke shtuar e ndryshuar sipas interesit përmbajtjen e akteve ligjore e më pas, t’i zbatojë ato pikërisht në përmbajtje të gabuar, për të goditur qytetarin.
Kjo është tepër e rëndë. Maksimalisht flagrante, e rrezikshme dhe në kufijtë e një skandali shtetëror. Fatkeqësisht tregon nivelin që Ju rrethon në institucionin ku punoni, i cili nuk ngurroj t’Jua them fare hapur, nuk gëzon aspak besimin e shoqërisë shqiptare.
Dhe së fundi diçka mbi këtë çështje, uroj të jetë lapsus, por që meriton verifikim. Proceverbali i nënshkruar tregon se inspektimi ka nisur në ora 00:00 të datës 4.2.2019. Nëse kjo është e vërtetë, fakti që inspektorët e AKU shkojnë për inspektim tek kompania në mesnatën e një dite të dielë, pa më kontaktuar aspak mua si denoncues, lë shije tepër të hidhur për transparencën si dhe ngre pikëpyetje të mëdha për mënyrën se si funksionojnë institucionet inspektuese në vend.
Kam besim se do të veproni. Pa vonesë.
Ju lutem, i’ua kërkoj publikisht, bëni detyrën.
3.Operatori Conad Albania, si dhe shumë operatorë të tjerë ekonomikë, përdorin praktika të dyshimta dhe me rrezik për publikun, në paketimin dhe etiketimin e disa produkteve ushqimore – mishi, djathi etj.
Që në publikimin e parë të denoncimit janë përmendur praktikat e riambalazhimit dhe rietiketimit të disa produkteve ushqimorë në dyqanet e Conad Albania dhe operatorëve të tjerë të ngjashëm, që ngjajnë tepër të dyshimta dhe të rrezikshme për konsumatorin.
Produkte si djathi apo mishi shiten te paketuara në vaska të vogla apo të mbështjella me qese dhe konsumatori nuk ka asnjë informacion që data e skadencës vendosur nga shitësit në etiketën e këtyre produkteve i përket ose jo realitetit dhe nuk është ndërruar një apo disa herë.
Jam njohur me shumë dëshmi të këtyre ditëve, një pjesë të të cilave janë të hapur publikisht, që tregojnë se ndryshimi i datës së skadencës në këto produkte deri në prishjen e tyre, apo përdorimi i produkteve të skaduara si lëndë e parë për të prodhuar të tjera, fatkeqësisht është praktikë gjerësisht e përdorur nga shumë operatorë. Praktika të tilla edhe në vendin fqinj, Itali, siç janë denoncuar publikisht në televizionet italiane, ndodhin po ashtu në shumë prej supermarketeve.
Shqipëria është pré dhe tepër e ekspozuar ndaj praktikave të tilla. Sjellja e inspektorëve të AKU-së, sikurse në këtë rast flagrant, tregon se kompanitë i kanë lirshëm hapësirat që të abuzojnë me konsumatorin përmes metodave që mund të jenë deri në vdekjeprurëse për të.
Praktika të tilla duhet sa më parë të marrin fund njëherë e mire dhe kjo nuk mund të ndodhë pa angazhimin e plotë të institucioneve të mbikqyrjes së tregut.
Ndonëse është detyra juaj për t’a arritur këtë gjë, mbetem tërësisht i përkushtuar për të kontribuar sado mundem në këtë çështje tejet të rëndësishme për publikun shqiptar, sikurse pres me shpresë për një reagim energjik në zbatim të ligjit nga ana juaj për trajtimin e të gjitha shkeljeve flagrante të legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit dhe ushqimin në këtë rast, duke kërkuar, dhe pa u kufizuar në sa më poshtë:
- Ushtrimin e kontrollit të produkteve ‘kërpudhë e freskët’, tregtuar nga operatori Conad Albania (apo operatorë të tjerë të ngjashëm) pasi sikurse deklarohet publikisht nga kompania dhe bazuar në mostrat e disponueshme të produktit të tregtuar deri ditën e sotme, kjo zhvillohet në papajtueshmëri me kërkesat ligjore të Nenit 4 dhe 9 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.1344, datë 10.10.2008 “Për miratimin e rregullave “Për etiketimin e produkteve ushqimore”.
- Shqyrtimin e shkeljeve të Nenit 4 dhe 9 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.1344, datë 10.10.2008 “Për miratimin e rregullave “Për etiketimin e produkteve ushqimore” në tregtimin e produktit ‘kërpudhë e freskët’ nga operatori Conad Albania.
- Shqyrtimin e shkeljeve të Nenit 4, 5, 7, 8, 13, 14, 15 dhe 17 të Ligjit Nr. 9902, datë 17.4.2008 (ndryshuar) ‘Për mbrojtjen e konsumatorëve’ nga ana e operatorit Conad Albania.
- Shfuqizimin e proces verbalit të Inspektimit të datës 5 shkurt 2019, nënshkruar nga inspektorët e Degës Rajonale Tiranë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
- Hetimin e plotë të rastit të denoncuar mbi falsifikimin e informacionit të skadencës në produktin ‘kërpudhë e freskët’, duke ju referuar saktësisht legjislacionit shqiptar në fuqi.
- Hetimin e të gjitha ankesave publike të qytetareve shqiptarë dhe përforcimin e kontrolleve ndaj mënyrës së paketimit dhe etiketimit të produkteve ushqimorë (djathi, mishi, etj.) nga të gjithë operatorët ekonomikë në vend.
Ju faleminderit për bashkëpunimin dhe punë të mbarë në dobi të shoqërisë shqiptare,
VINI RE: Autori është në proces gjyqësor me kompaninë Conad.
Hashtag.al do ofrojë të njëjtën hapësirë, nëse do ketë replikë ndaj këtij shkrimi.