Tajvani po planifikon të rëndojë dënimin për ata që shkaktojnë aksidente vdekjeprurëse ndërsa drejtojnë automjetet në gjendje të dehur, përfshirë këtu dënimin me vdekje për rastet më të rënda, duke ndezur reagime të ashpra të aktivistëve.
Qeveria miratoi të enjten një amendament të Kodit Penal, që do ta bënte vdekjen si pasojë e drejtimit të makinës në gjendje të dehur, një vrasje të rëndë që mund të ndëshkohet edhe me dënim me vdekje, gjithnjë nëse konsiderohet e qëllimshme.
Propozimi ka nevojë për miratimin e Parlamentit, por vjen pas një numri aksidentesh me viktima që ka gjeneruar po ashtu një zemërim masiv.
Dënimi maksimal aktual në Tajvan për shkaktimin e vdekjes ndërsa je i dehur në timon është 10 vite burg.
“Një aksident ndodh, një person humb jetën, por ne nuk duhet ta rëndojmë bilancin edhe me një tjetër viktimë. Ne nuk duam që një shofer i dehur, që ka vrarë dikë, të marrë dënim me vdekje si ndëshkim. Ne duam që të bëhet më shumë për ta parandaluar këtë”, tha Lee Tsai-tsung, familjar i një viktime të një aksidenti rrugor.
Janë të pakta vendet e tjera që kanë përcaktuar dënimin me vdekje si ndëshkim, në rastet e drejtimit të makinës në gjendje të dehur. Kina kishte thënë më herët se do të ekzekutonte ata që vrisnin pas timonit dhe disa shtete në SHBA kanë ndëshkim kapital për raste të tilla. Në vitin 2014, një burrë në Teksas u dënua me burg të përjetshëm, pasi përplasi makinën në turmë duke vrarë 4 persona.