Pas alarmit për bombë mbrëmjen e kaluar në Vlorë, ka reaguar nënkryetari i PD-së Edi Paloka. Ish-deputeti demokrat ka thumbuar ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, duke thënë se “Pritet te shkoje Lleshi ne Vlore e te deklaroje qe vlonjatet nuk duhet te kene frike nga tritoli…apo duhet?”.
Ngacmimi i Palokës vjen një ditë pas deklaratës së Lleshajt për ngjarjet në Shkodër, ku tha se “qytetarët nuk kanë asnjë arsye pse të ndihen të sigurt”, dhe u detyrua t’i ndërhynte shefi i Policisë Ardi Veliu, që i përsëriti në vesh “Të pasigurt”.
Ditën e djeshme, pas alarmit për bombë në Vlorë, policia bllokoi plotësisht rrugën e lagjes “10 Korriku”. Ende nuk dihet se si ka përfunduar lënda eksplozive në këtë rrugë të qytetit të Vlorës, por dyshohet se mund të ketë rënë nga një makinë në lëvizje. Për çmontimin e saj mbërritën forca xheniere nga Tirana.