Vendosni fjalën kyçe....

Luan Rama: Gjithë shteti në funksion të krimit të organizuar, përgjimete faktojnë gjithçka


Zëvendëskryetari i LSI-së, Rama, ka dhënë një deklaratë për shtyp ku ka theksuar se nga materialet e publikuara në media lidhur me të ashtuquajturën “çështja Babale”, është faktuar se gjithë kupola e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, prokuroria dhe SHISH-i kanë bashkëvepruar në mënyrë kriminale nën urdhrat dhe në shërbim të njerëzve të botës së krimit, të trafikantëve dhe të kriminelëve.

“Mbi bazën e provave që janë pjesë përbërëse të dosjes hetimore në të ashtuquajturën “çështje Babale”, provohet me një mori faktesh, provash të administruara ligjërisht, se jo vetëm disa individë, por e tërë kupola drejtuese e Ministrisë së Brendshme dhe e Policisë së Shtetit, por jo vetëm, edhe prokuroria, edhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, nuk janë thjesht dhe vetëm përpara një situate të rëndë të mosveprimit të tyre në zbatim të ligjit, por ç’është më e rënda janë në një bashkëveprim, janë në një ndërveprim kriminal, nën urdhrat dhe në shërbim të njerëzve të botës së krimit, të trafikantëve dhe të kriminelëve, që i përdorin për interesa që nuk kanë të bëjnë me autoritetin e ligjit, me zbatimin e ligjit dhe me autoritetin që duhet të ushtrojnë institucionet e zbatimit të ligjit.” – tha Rama.

Rama thekson se për shkak të gjithçkaje ka ndodhur në Shqipëri vitet e fundit, Departamenti Amerikan i Shtetit nëpërmjet një raporti theksoi se krimet që gjenerojnë më shumë para në Shqipëri janë trafiku i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda.

“Kjo maskaradë, ky korpus aktesh kriminale dëshmon edhe njëherë tjetër se në çfarë gjendje skandaloze gjenden institucionet e zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe pikërisht këtu e ka burimin, këtu e merr frymëzimin, këtu e gjen motivimin edhe veprimtaria gjithnjë në rritje e grupeve kriminale, e demonstruar në mënyrën më flagrante  dhe më sfiduese edhe me aktet e fundit të vrasjeve që kanë mbuluar Shqipërinë, në të tërë hapësirën e saj nga Vlora në Elbasan, në Tiranë dhe në Shkodër. Prandaj është kjo arsyeja që edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit e rithekson edhe njëherë me forcë se korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar. Sepse trafikantët e drogës kanë nën shërbimin e tyre drejtues të strukturave të zbatimit të ligjit. Sepse trafikantët e drogës tërheqin prej hunde drejtues policie në nivele të larta, prokurorë dhe të gjithë drejtuesit e institucioneve të zbatimit të ligjit. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit thekson se krimet që gjenerojnë më shumë para në Shqipëri janë trafiku i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda dhe  thekson se Shqipëria shërben si bazë operacionesh për grupit e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Europë, në Lindjen e Mesme dhe në Amerikën e Jugut. Prandaj Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit thekson për Shqipërinë se ky vend është njëkohësisht burim i kanabisit dhe gjithnjë e më shumë një vend tranzit për kokainën dhe heroinën. Prandaj Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit thekson se grupet kriminale shqiptare e trafikojnë kokainën dhe heroinën drejt tregjeve evropiane nga vendet burimore, nga Amerika e Jugut dhe Azia.” – shtoi Rama.

Në fund të deklaratës Rama deklaroi se se situata e rëndë kriminale dhe kriminalimi i strukturave të zbatimit të ligjit është përgjegjësi e qeverisë dhe kreut të saj.

“Ky realitet kriminal, kjo situatë e rëndë kriminale, ky kriminalizim i strukturave të zbatimit të ligjit, pa asnjë mëdyshje është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kreut të saj, sepse pandëshkueshmëria ndaj këtyre grupeve kriminale, bashkëveprimi me ta, dhe raporti i ndërveprimit që fillon që me vjedhjen kriminale të votave është detyrimi, është shpagimi që qeveria ka ndaj grupeve kriminale, është kjo arsyeja që askush nuk vepron në këtë vend për të zbatuar ligjin dhe për të vendosur standardet e drejtësisë funksionale, të drejtësisë që bën drejtësi dhe ku përpara ligjit janë të gjithë të barabartë, kriminelë dhe trafikantë, por edhe policë dhe prokurorë që janë shërbëtorë të kriminelëve dhe trafikantëve. Ajo çka u publikua mbrëmë është vetëm njëri prej episodeve kriminale, shumë më tepër raste të kësaj natyre do të mësoni në ditët në vijim, prandaj nuk ka alternativë tjetër përballë qytetarëve, përveçse të largojnë njëherë e mirë të keqen që nis dhe mbaron me qeverinë e këtij vendi.” – mbylli Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *