Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një lidhje telefonike për emisionin “Të Paekspozuarit” nga Berlini, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama konsiderohet nga zyrtarë të lartë atje si njeri i mbaruar politikisht.
Basha tregoi se me kë është takuar gjatë këtyre dy ditëve në Berlin dhe për çfarë ka biseduar.
“Isha me ftesë të CDU-së së Merkel për një vizitë shumë të ngjeshur dy ditore, kam takuar përfaqësuesit më të lartë të Bundestagut. Kam pasur takime dje e sot me këshilltarin e Merkel për punë të jashtme dhe siguri dhe zv. sekretarin e çështjeve të jashtme dhe zv. sekretarin e çështjeve evropiane. Kam pasur takime në ministrinë e jashtme gjermane në fokus të të cilave ka qenë kriza në Shqipëri. Takime jashtëzakonisht të suksesshme, në radhë të parë për ndarjen e informacioneve për Shqipërinë, për ndarjen e pikëpamjeve të përkushtimit të përbashkët për vlerat europiane.
Gjermania ka qenë shumë e shqetësuar për zhvillimet në Shqipëri prej më shumë se një viti. Shqetësime që janë shprehur qartë. I pari i qeverisë ka zgjedhur t’i injorojë ose dhe të sulmojë. Sot këto shqetësime janë edhe më të mëdha për faktin e thjeshtë se raportet gjermane, politike dhe të agjencisë federale tregojnë atë që opozita dhe PD kemi thënë prej kohësh që nën sundimin e zotit Rama Shqipëria është kthyer në një Kolumbi të Europës… Pa kriteret e Kopenhagenit nuk mund të jesh anëtar as i KE jo më anëtar i NATO-s e BE.”, tha Basha.
Ndër të tjera, kryedemokrati shtoi se Rama konsiderohet nga zyrtarë të lartë gjermanë si njeri i mbaruar politikisht.
“Është bindja ime personale, jo vetëm nga bisedat ne Berlin, por edhe përfaqësues të lartë në Europë, se Rama konsiderohet një njeri i mbaruar politikisht. Në perëndim konsiderohet si një njeri që i kanë vënë kryqin”, deklaroi Basha.
I pyetur për deklaratat e kryeministrit Rama, që tha se PD dhe LSI do të shkojnë për skrap, Basha tha:” Sa kohë të merreni me batutat e Ramës, që flet per gjenitale dhe skrap si një adoleshent i cakorduar, duhet ta kuptojmë se është në moment nervozizmi sepse i ka ardhur fundi.Agresiviteti rrugaçëror e ka karakterizuar gjithmonë, nuk do merremi t’i vëmë fre gojës së Edi Ramës.
Ne duhet të ndalojmë që oligarkët të marrin peng ekonominë shqiptare, media të mos nënshtrohet. Këto nisin me largimin e Ramës, por nuk përfundojnë këtu.”