Ushtria amerikane po investon miliona dollarë në teknologjinë eksperimentale të “Exoskeleton” të “Lockheed Martin Corp” për të pajisur një brez të ri “super-ushtarësh”.
Teknologjia u zhvillua nga kompania amerikane me një licencë nga “B-TEMIA” me qendër në Kanada, raportoi “Reuters”.
“B-Temia” ishte kompania e parë që zhvilloi ekzoskeletë për të ndihmuar njerëzit me vështirësi në lëvizje për t’u kthyer në këmbë pas sëmundjeve të tilla si skleroza e shumëfishtë dhe osteoartriti i rëndë
“Exoskeletons” janë pajisje që funksionojnë me bateri dhe janë bërë për t’u veshur mbi një palë pantallona.
Teknologjia përdor një sërë sensorësh, inteligjencë artificiale dhe teknologji të tjera për të ndihmuar lëvizjet natyrore.
Ushtria amerikane e konsideron përdorimin e një teknologjie të tillë si tejet të rëndësishme për të vendosur ushtarët në zonat e luftës të pajisura me pajime të rënda, të cilat normalisht janë tejet të vështira për t’u mbajtur.
Armatura e trupit, syzet e shikimit të natës dhe radiot e avancuara mund të peshojnë deri në 64 kilogramë. Ndërsa kufiri i rekomanduar është 23.
Me anë të këtyre skeleteve, ushtarët nuk e ndjejnë thuajse fare peshën e pajimeve duke qenë në gjendje më të mirë për të luftuar.