Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott dhe ai gjerman, Thomas Schieb, janë bërë bashkë për të hedhur poshtë pretendimet e mediave serbe, se kanë dallime sa i përket Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët, Scott dhe Schieb kanë thënë se përkrahin dialogun, pajtimin dhe heqjen e taksës për t’i hapur rrugë vazhdimit të bisedimeve ndërmjet dy shteteve, shkruan Lajmi.net.
“SHBA-ja dhe Gjermania mendojnë se Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë e Bosnjë e Hercegovinës. Ne përkrahim çdo zgjidhje që arrihet me anë të dialogut, pajtimi dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkruajnë në reagimin e përbashkët të nënshkruar nga ambasadorët Schieb dhe Scott.
Ata kanë bërë thirrje për dialog dhe stabilitet në Ballkan.
“Edhe SHBA-ja edhe Gjermania vazhdojnë ta përkrahin dialogun që zhvillohet me ndërmjetësim të BE-së. Ne jemi të përkushtuar ndaj synimit për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë e të zbatueshme për t’i kontribuuar stabilitetit rajonal”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga dy ambasadorët.