Lëvizja Vetëvendosje e cila bëri kërkesën për rregjistrim në Shqipëri nuk do jetë një parti por do funksionojë si OJQ.
Ka qenë anëtari i Bordit Arbër Zaimi i cili ka bërë sqarimin e tij në Facebook se Lëvizja Vetëvendosje nuk do jetë parti siç u përfol në media por do jetë vetëm OJQ.
“Vetëvendosja është transparente dhe e sinqertë! Në njoftimin tonë kemi shkruar se kemi paraqitur kërkesën në gjykatë për të regjistruar një Qendër, e cila sipas statutit të vet nuk mund të garojë për zgjedhje.
Synimi i saj është rritja e vetëdijes qytetare, dhe rritja e numrit të atyre që diskutojnë për politika emancipuese kombëtare e progresive”-shkruan Zaimi.
Këtë sqarim e konfirmoi edhe Drejtori Ekzekutiv i saj Boiken Abazi në një dalje publike në News 24.
Postimi i plotë:
Vetëvendosja luan vetëm “fair play”
(në Shqipëri e kudo)
Të dashur gazetarë, Vetëvendosja nuk po regjistron e as nuk po hap parti në Tiranë.
Nuk është në natyrën e Vetëvendosjes të jetë grabitqare dhe oportuniste, ndaj sigurisht që nuk do të përfitonte kurrë prej momentit delikat të krijuar prej tërheqjes së opozitës nga parlamenti.
Vetëvendosja është transparente dhe e sinqertë! Në njoftimin tonë kemi shkruar se kemi paraqitur kërkesën në gjykatë për të regjistruar një Qendër, e cila sipas statutit të vet nuk mund të garojë për zgjedhje. Synimi i saj është rritja e vetëdijes qytetare, dhe rritja e numrit të atyre që diskutojnë për politika emancipuese kombëtare e progresive.
Ne nuk do të ndjekim formulën e partiçkave të djathta a të majta që hapen para zgjedhjeve, se nuk jemi zjarr kashte.