Një 48-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës për armëmbajtje pa leje, ndërsa ndodhej aktualisht edhe me masë sigurie “arrest shtëpie”. Sipas policisë, kanë qenë qytetarët që kanë denoncuar se një person ka qëlluar me armë zjarri nga një mjet.
Sipas përshkrimit të bërë nga qytetarët, policia ka ndaluar 48-vjeçarin me inicialet A. I., dhe pasagjerët me inicialet R. E., 15 vjeç dhe E. E., 27 vjeç (vëllezër).
“Bashkëpunimi komunitet-polici vë në pranga një 48-vjeçar për armëmbajtje pa leje i cili ishte dhe me masë sigurie “arrest shtëpie”.
Sekuestrohet armë zjarri pistoletë e municion luftarak.
Shërbimet e policisë të komisariatit nr.1, arrestuan në flagrancë shtetasin:
- I., 48 vjeç, banues në Tiranë (me masë sigurie “arrest shtëpie” për veprat penale “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike” dhe Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”).
Në sallën operative ka ardhur telefonatë nga qytetarët se në rrugën e rezervave të shtetit është qëlluar në ajër me armë zjarri nga një mjet.
Shërbimet e policisë në bazë të karakteristikave të dhëna kanë bërë ndalimin e mjetit me drejtues shtetasin A. I., dhe pasagjer shtetasit R. E., 15 vjeç dhe E. E., 27 vjeç (vëllezër).
Në mometin e kontrollit policia ka gjetur një armë zjarri pistoletë e cila i përkiste shtetasit A. I.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
Mjetin; një armë zjarri pistoletë; dy krehëra dhe 21 fishekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të shtetasit A. I., për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” parashikuar nga nenet 278 dhe 323 të Kodit Penal.”, thuhet në njoftimin e policisë.