Mbrëmjen e kaluar pati një debat mes analistit Andi Bejtja dhe ministrit të Turizmit Blendi Klosi, lidhur me spotin “Taken by Albania” për promovimin e turizmit në Shqipëri.
Teksa në studio ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit, Blendi Klosi, Bejtja e cilësoi si ‘spot katunar’.
“Mirë ishte që debati të bëhej para se të bëhej spoti, siç bëhet në shumë vende të botës. Përveç asaj që thonë gazetat, mua nuk më shqetëson fare që dikush ka bërë një film që ka për personazh, një tropojan. I bie që italianët të kishin vrarë veten të gjithë me aq filma sa kanë bërë për mafian italiane. Dhe s’kam parë ndonjë të thotë De Niro, Al Pacino hajde këtu.
Dhe s’dua të përdor një fjalë që s’më shkon, ta them? Është pak spot katunar. Nuk ka pse më komplekson mua një film e ta kthej këtë për një spot për turizmin. E dyta është e rrezikshme, sepse po të hapësh në ‘Google’ dhe të kërkosh ‘Taken Albania’ të del edhe filmi ‘Taken’ e 7 gjëra të tjera për sigurinë. Të bëhej atë ditë që është shfaqur filmi edhe mund ta kuptoja, por ta bësh 8 vite më mbrapa se kuptoj këtë. Tjetra është se jo të gjithë e kanë parë filmin ‘Taken’.”, tha gazetari.
Pas kritikave të gazetarit, Ministri Klosi tha se s’do merrej me analizimet e Bejtjas pasi sipas tij spoti ia arriti qëllimit.
“Në radhë të parë mua më vjen mirë që bëtë një emision. Unë s’do merrem me Bejtjan të them është katunare, jo po është qytetare. Për hir të së vërtetës, një kërkim në Google mund ta bënit. Sa portale kanë shkuar për këtë. Nga 16 vetëm ‘Telegraf’ ka një moment…”, tha Klosi.
“Super sukses, realisht arriti që të ngjallet një kureshtje”, vijoi më tej ministri i cili këmbënguli se ky nuk është spoti i shtetit shqiptar, por ministria thjesht është përpjekur ta promovojë.