Në deklaratën për mediat nga selia blu, kreu i PD-së, Basha, deklaroi se policia po përdoret vetëm për një qëllim, kundër popullit.
Ai tha se që prej protestës së parë masive qytetare, asaj të 16 shkurtit, janë ndaluar 114 protestues dhe arrestuar 52 prej tyre, një pjesë e të cilëve janë ende në burg.
“Që nga protesta e 16 shkurtit janë shoqëruar 114 protestues dhe janë arrestuar 52. Policia po përdoret ndaj popullit, ndaj njerëzve të pafajshëm që mbrojnë shtëpitë e tyre.” – tha Basha.
Më tej kreu i PD-së, theksoi se nuk ka asnjë përpjekje serioze të shtetit për të luftuar krimin, ndërsa vendi është kthyer në bazë operacionesh të rrjeteve kriminale ku kryhet pastrimi i parave të krimit nga qeveria me projektet korruptive në ndërtim, turizëm e koncesione.
“Aq gaz sa është përdorur këto dy muaj nuk është përdorur në gjithë historinë e vendit. Vrasjet, tritoli dhe grabitjet me armë në mes të ditës po trondisin çdo ditë sigurinë e njerëzve në mes të qyteteve, i vetmi aktivitet kundër krimit është vajtja e policisë në vendin e ngjarjes.
Kur në Rinas, që është zona me sigurinë më të lartë në vend kryhet grabitje më armë e avionit të linjës ndërkombëtare në mes të dites, çdokush e kupton se në çfarë niveli është policia, se në çfarë niveli është katandisur rendi dhe siguria.” – shtoi Basha.