Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e poliucisë, pas dyshimeve se është ai që i shiti armën e zjarrit 17-vjeçarit që vrau gjyshin e tij disa muaj më parë në qytetin e Vlorës.
“Ndalohet shtetasi i shpallur në kërkim R.L., 23 vjeç, banues në fshatin Risili, Vlorë.
Strukturat e Policisë Vlorë kanë bërë kapjen dhe ndalimin e këtij shtetasi pasi dyshohet se është një nga bashkëpunëtorët për shitjen e armës së krimit në lidhje me ngjarjen e 27 Shkurtit, ku si pasojë nipi vrau me armë gjyshin e tij.
Materialet do ti referohen Prokurorisë në ngarkim të tij për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë.
Bëhet fjalë për vrasjen e 27 shkurtit, ku nipi 17-vjeçar vrau gjyshin e tij 69-vjeçar dhe më pas doli përpara kamerave duke aluduar se kishte ndodhur një grabitje, për të humbur dyshimet që mund të binin te ai.
Rrëfimi i nipit vetëm pak minuta pas ngjarjes duket se ka ngjallur dyshime tek hetuesit të cilët pas e kanë marrë në pyetje. Nipi në fund ka pranuar se ishte ai që e ka vrarë gjyshin dhe ka zbuluar dhe vendin ku e kishte fshehur armën.
I riu jetonte vetëm me gjyshin, i cili ishte ai që e kishte rritur pasi prindërit i kishin vdekur në një aksident qëkur ai ishte i vogël.