“Deutsche Bank”, mund të përballet me gjoba, masa ligjore dhe ndjekje penale të stafit menaxhues për shkak të rolit të saj në skemën ruse të pastrimit të parave në shumën prej 20 miliardë dollarëve.
Kjo bankë ka pranuar se ka shumë rrezik që autoritetet financiare të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe të ndërmarrin masa ndëshkuese kundër saj. Zyrtarët e saj gjithashtu kanë pohuar se ky skandal e ka dëmtuar reputacionin e saj ndërkombëtar. Ka gjasa që ky rast të shkaktojë tkurrje të numrit të klientëve, humbje të besimit të investitorëve dhe rënie të vlerës së bankës në tregun financiar.
Sipas një organizate vëzhguese, kriminelët rusë që janë të lidhur me Kremlinin dhe KGB-në e kanë përdorur këtë skemë nga viti 2010 deri në vitin 2014 për t’i transferuar paratë në sistemin financiar të Perëndimit. Hetuesit besojnë se sasia e parave që është përfshirë në këtë proces mund të jetë deri 80 miliardë dollarë.
Kompanitë simotra me bazë në Britani të Madhe i kanë dhënë shpesh hua njëra-tjetrës. Më pas, ato u thelluan në një borxh të madh fiktiv. Gjyqtarët e korruptuar të Moldavisë e legjitimuan këtë borxh, duke bërë që miliarda dollarë të transferohen në Moldavi dhe shtetet baltike përmes një banke në Letoni.
“Deutsche Bank” është përdorur si rrugë për t’i pastruar paratë përmes rrjetit të saj bankar. Në këtë mënyrë, pagesat ilegale ruse u dërguan në Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe në Azi, shkruan “The Guardian”.