Hetuesit mendojnë se ajo çfarë e ka shkaktuar zjarrin në katedralen e Notre Dame në Paris, ka qenë një qark elektrik i shkurtër, shkruan “The Guardian”.
Një vlerësim fillestar i katedrales u bë të mërkurën por rreziqet e sigurisë kanë penguar një kërkim në brendësi të kishës së djegur, tha një zyrtar i policisë gjyqësore për “Associated Press”. Vetëm pasi të jetë plotësisht i sigurt, hetuesit do të lejohen të shikojnë më nga afër në mënyrë që të përcaktojnë me saktësi shkaktarin e zjarrit.
Hetuesit deri më tani besojnë se zjarri ishte i rastësishëm dhe janë marrë në pyetje stafi i katedrales, si dhe punëtorët që kryenin rinovime.
Rreth 40 persona janë marrë në pyetje deri të enjten, sipas zyrës së prokurorit të Parisit. Meqë katedralja do të jetë e mbyllur për publikun për vite me rradhë, famulltari i katedrales ka propozuar ndërtimin e një strukture të përkohshme në sheshin përpara ndërtesës së epokës gotike. Autoritetet e qytetit dhanë miratimin e tyre të enjten “subjekt i kufizimeve teknike”.
“Famulltari nuk ka katedrale për momentin … por unë do të përpiqem të krijoj diçka,” tha peshkopi Patrick Chauvet.