Të tjera detaje janë zbuluar lidhur me grabitjen e Rinasit që ndodhi më 9 prill, ku u morën rreth 10 milionë euro.
Në një bisedë telefonike me gazetaren Klodiana Lala, Gentjan Sharra, pronari i servisit ku u modifikua automjeti me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, tha se ia kishte lënë atë me qira Eldi Çalës.
“Nuk kisha kontratë noteriale me të. Nuk kam dijeni për aktivitetin e paligjshëm që është kryer në këtë servis”,– ka thënë ai.
Eldi Çala, është vëllai i Klement Çalës. Ky i fundit është një nga të akuzuarit për grabitjen e 3.2 milionë Eurove në rrugën e Rinasit, ngjarje e ndodhur më 9 Shkurt të 2017-ës.
Klement Çala, ka qenë i dënuar edhe në Greqi për grabitje si anëtar i bandës së Ilir Kupës.
Së bashku me disa të burgosur të tjerë, mes të cilëve Ilir Kupa dhe Fatos Sulaj, kanë realizuar arratisjen nga burgu i Trikallës në Greqi dhe kanë tentuar të vrasin dy prej policëve roje të atij institucioni në 2013-ën.
Servisi është i kyçur tashmë dhe konsiderohet provë materiale për prokurorinë dhe policinë.