Vendosni fjalën kyçe....

Patozi regjistron partinë e re: Na u vërsulën ende pa lindur, jemi seriozë dhe të pavarur


Astrit Patozi ka konfirmuar krijimin e partisë së re të quajtur “Bindja Demokratike”. Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, Patozi thotë se kjo fuqi e re politike vjen si një ofertë e pavarur sa herë që të ketë zgjedhje në Shqipëri.

“PËRSE VJEN BINDJA DEMOKRATIKE?

Bindja Demokratike është ide, nuk është pronë, as biznes apo njeri.
Ajo ka lindur nga bindja e fortë e qytetarëve të lirë të këtij vendi për një projekt të ri politik. 
Bindja Demokratike është dhe do të jetë një ofertë serioze dhe tërësisht e pavarur, sa herë që të ketë zgjedhje në Shqipëri.
Bindja Demokratike është frymë dhe alternativë e re, në një shoqëri, ku monopoli partitokratik po vret konkurrencën dhe ka kufizuar lirinë e zgjedhjes për qytetarët.”, shkruan Patozi.

Ai i është përgjigjur edhe akuzave se partia e re, po krijohet me financim të Ramës për të sulmuar opozitën. Sipas Patozit, nuk është rastësi që janë sulmuar por nuk ndihet i shqetësuar nga kjo gjë.

“Bindja Demokratike do të qeveriset si një parti e lirë që të shërbejë si model për mënyrë se si partitë duhet të qeverisin Shqipërinë.
Kundërshtarët e Bindjes Demokratike janë përfituesit më të mëdhenj nga ky system i kalbur politik, në krye të cilëve qëndron sot kryeministri Edi Rama. Nuk është rastësi që ata na janë vërsulur në shpinë ende ende pa lindur, por kjo nuk na shqetëson. Përkundrazi, na motivon më shumë dhe na tregon se jemi në rrugën e duhur.”, tha Patozi.

Grupi nismëtar i partisë së re depozitoi sot në Gjykatë 3.000 firmat e nevojshme për t’u regjistruar ligjërisht si dhe ka dorëzuar kërkesën në KQZ për t’u regjistruar në zgjedhjet e qershorit. Në deklaratë thuhet se është krijuar edhe bordi i kësaj partie i përbërë nga ish-demokratë, ish-anëtarë të Kryesisë së Parisë Demokratike të lënë jashtë tashmë nga Basha. Mes tyre janë Arben Skënderi, Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli.

Në këtë parti të re pritej të merrte pjesë edhe Rudina Hajdari, madje përflitej edhe si kryetare, por kjo nuk ka ndodhur. Ajo u distancua nga kjo parti e re ndërsa u uroi atyre suksese.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *