Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, në lidhje me vrasjen e dy vëllezërve bilali në Shkodër. Gjatë operacionit të koduar “Livadhe”, kanë përfunduar në pranga shtetasit, Arsen Stojku, 29 vjeç dhe Myslym Rama, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë. Ata dyshohen për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Ekzekutori i dyshuar është Ibrahim Lici, që është shpallur në kërkim. Në gusht të 2018, atij i vranë xhaxhanë Fatbardh Lici. Pista kryesore që po hetohet është ajo e hakmarrjes, pasi Fisi Lici dhe Bilali njihen për përplasjet mes tyre, pasi vetëm në vitin e fundit ka patur 10 viktima.
Kujtojmë se dy vëllezërit, Astrit dhe Ibrahim Bilali u vranë më 30 mars me breshëri plumbash para banesës së tyre në lagjen Kiras të Shkodrës, pranë Zooteknikës.
Astrit Bilali është babai i ish-boksierit të Vllaznisë, Asmer Bilali, që është i arrestuar para disa muajsh në Tiranë si pjesë e grupit Bajri.
Astrit Bilali ishte pronari i një resorti hipizmi në Shkodër, pranë të cilit para pak kohësh u ekzekutua teksa kalëronte, Arjan Ferracaku. Ky i fundit ishte në shoqërinë e të birit të Astrit Bilalit, Asmerit, kur u qëllua me breshëri plumbash duke humbur jetën. Dyshohet se plumbat ishin nisur pikërisht ndaj Asmer Bilalit.
Detajet e policisë
Në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në 30 mars 2019 ku mbetën të vrarë dy vëllezër, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u ngrit një grup i posaçëm hetimor në bashkëpunim me DVP Shkodër dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër.
Si rezultat i një pune të mirëorganizuar nga ana e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës Së Shkallës së Parë Shkodër, me mbështetjen e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, u zhvillua operacioni policor i koduar “Livadhe” duke u finalizuar me ekzekutimi i urdhrave të ndalimit, datë 25.04.2019, të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për ndalimin e shtetasve:
– A. S., 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
– M. R., 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
U bë shpallja në kërkim e shtetasit Ibrahim Lici, 26 vjeç, si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes, si dhe e shtetasit D. B., 29 vjeç, për veprën penale të “Përkrahja të autorit të krimit”. Vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e tyre.
Pas hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.
Si rezultat i punës së vazhdueshme intensive me metodat speciale të hetimit, nga grupi i posaçëm hetimor, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore, të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.
Gjatë veprimeve hetimore u bë sekuestrimi i një automjeti, tre aparateve telefonike celulare, të cilët janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprimeve të tyre.
Vazhdon puna për hedhjen dritë mbi motivin e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”./Hashtag.al